Koronarografia jashtë funksionit, presin 400 pacientë

400 pacientë po presin në QKUK për koronarografi, vendosjen e stendave dhe valvuleve në zemër, mirëpo aparati me të cilin punohet për këto shërbime, është jashtë funksionit.

Lajme

12/08/2015 22:52

Përfaqësues të kompanisë së kontraktuar për servisim të aparaturave thonë se ende nuk kanë arritur ta gjejnë shkakun e prishjes, mirëpo, sipas tyre, koronarografia është shumë e vjetër dhe mirëmbajta e saj nga stafi i QKUK-së nuk është në nivelin e duhur.

Ka 20 ditë që Koronarogrfia në QKUK, e cila shërben për vendosjen e stendave dhe valvuleve në zemër, është jashtë funksionit.

Kardiologu Nehat Rexhepaj thotë se mosfunksionimi i këtij aparati, po u kushton shumë pacientëve, pasi që ky është i vetmi në institucionet publike. Lista e pritjes së pacientëve ka arritur deri në 405 pacientë.

“Koronarografia është jashtë funksionit që nga data 24 korrik, për pacientë mos funksionimi i këtij aparati është shumë i dëmshëm pasi që shumica e rasteve të miokardit akut kanë endenca për vendosje të menjëhershme të stendave”.

Zyra e prokurimit në QKUK thotë se për servisimin e aparatit të koronarografisë është e kontraktuar kompania Medical Group. Ndërsa këta të fundit thonë se janë duke punuar, mirëpo ende nuk kanë arritur ta gjejnë pjesën e prishur të aparatit.

Skender Kutllovci, përfaqësues i kësaj kompanie, ka thënë se nga ky aparat duhet të shkarkohen të dhënat e pacientëve, mirëpo dyshohet se ndonjë brejtës i ka prishur kabllot të cilat e pamundësojnë bartjen e të dhënave. Sipas Kutllovcit, aparati është shumë i vjetër dhe nuk do ta përballojë shumë gjatë fluksin e pacientëve.

Ai nuk ka përcaktuar ndonjë datë se kur do të jetë e gatshme për punë Koronarografia, mirëpo ka thënë se po punojnë çdo ditë që ta rregullojnë këtë aparat. Që nga janari i këtij viti janë realizuar 733 koronarografi, janë vendosur 550 stenda dhe 230 valvule në zemër. (RTK)