Të Infektuar: 1147

Të Shëruar: 874

Të Vdekur: 30

KoronaFEARusi

21:12 | 28 Mars 2020

Që prej kur janë shfaqur rastet e para me në Wuhan të Kinës, gjegjësisht në dhjetor të vitit të kaluar, koronavirusi ka zënë vend në titujt e portaleve vendore e ndërkombëtare në baza ditore.

Shkruan: Besnik Gashi

Virusi, i shfaqur në një treg të ushqimeve të detit është shpërndarë në afro 200 vende, e bashkë me të, me të njëjtin intensitet, është shpërndarë edhe FRIKA në mesin e njerëzve. FRIKA të bën të njerëzishëm, por kur ajo infekton çdo veprim, mund të bëhet më vdekjeprurëse sesa vetë virusi. Përpara se COVID-19 të shfaqej në vendin tonë, qytetarët e Kosovës nga FRIKA se stomaku i tyre do ngelet i boshatisur nga karantinimi që po ndodh në vende të botës, boshatisën raftet e produkteve ushqimore elementare të marketeve. Aparatura e receptimit të ngjarjeve u pushtua nga FRIKA, gjë që bëri që qytetarët të blinin produktet edhe me çmime astronomike, deri në kohën kur u detyrua të ndërmarrë masa Autoriteti i Konkurrencës. FRIKA vetëm se metastazoi më tutje, madje me reagim më të ashpër ndaj racios tonë pas shfaqjes së rastit të parë në vend me koronavirus të ri. Nga FRIKA, duke i harruar detyrat qytetare dhe duke cënuar shëndetin e njerëzve përreth tyre, një familje në Gjilan kishte ikur nga një klinikë kur iu kishte thënë nga mjekët se dyshoheshin për infektim me virusin pandemik. FRIKA nga përballja me ngritjen e shifrave të të prekurve me virusin pandemik provokoi edhe një vendim të dështuar të krerëve institucional në Kosovë, gjegjësisht atë të orës policore, duke bërë që këta të fundit të ndërmarrin masa në lirinë e daljes, jo në mënyrën e organizimit të daljes. Vendet me numër të lartë të të infektuarve, sikurse është Italia, kanë bërë të kundërtën. Në disa rajone në Itali, për blerjen e produkteve të nevojshme lejohet vetëm një person në market, derisa të tjerët presin në radhë, çdoherë duke respektuar distancën e nevojshme.

Në kundërshti me Kosovën e vendet e tjera, FRIKËS ndaj reaktantit koronavirus iu ka përgjigjur në mënyrën më të duhur Gjermania. Kancelarja gjermane Angela Merkel në kohën kur u shfaqën rastet e para në vend, kishte paralajmëruar se gati 70% e qytetarëve gjerman do të preken nga virusi COVID-19. Kështu, kancelaria gjermane mori vendim që të merren mbrojtje të veçantë grupmoshat e vjetra dhe personat që kanë probleme kronike shëndetësore, të cilët kanë rezultuar të jenë viktimat kryesore të koronavirusit, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë. Deri më tani, Gjermania ka 56,202 të infektuar me virusin, derisa vetëm 403 kanë vdekur si pasojë.

FRIKA është treguar gjithpërfshirëse dhe është veneruar edhe në diskursin e politikanëve botëror, duke i çuar ata drejt paragjykimeve ksenofobike. Presidenti amerikan Donald Trump ka filluar t’i referohet koronavirusit si “virusi kinez”, në kohën kur numri i rasteve në SHBA po rritej drastikisht. OBSH ka bërë të ditur se viruseve nuk u intereson gjeografia, përkatësia etnike ose ngjyra e lëkurës.

Nga akumulimi i sasisë së tepërt të FRIKËS, duke çuar në mungesë të gjykimit kritik të informacioneve të plasuara nëpër mediet online, njerëzit kanë filluar të vënë gishtin nga mediet, duke i fajësuar ato për mbjellje panike për raportimin e përditshëm të numrit të rasteve në vendet me shifra të larta të pacientëve me COVID-19. Në radhë të parë, detyra e medieve është që të informojë njerëzit drejt, por mënyra se si reagon shoqëria kundrejt tyre është asgjë më tepër sesa një reflektim i skemave kuptimore ndaj lajmeve në kohë FRIKE.

Filozofi i rrymës stoiciste, Seneca, observon se “Më shpesh FRIKËsohemi, sesa lëndohemi. Ne e pësojmë më shumë nga imagjinata sesa nga realiteti”. Nisur nga kjo premisë, institucionet kosovare, në momentin e shfaqjeve të rasteve të para, do duhej bërë matjen e rrezikshmërisë së virusit COVID-19 nga vendet e tjera dhe t’ua mundësonin qytetarëve pasqyrën reale të potencialitetit të infektivitetit të virusit. Me fjalë të tjera, t’u shërbente si model reagimi i Gjermanisë ndaj virusit që ka katandisur botën. Megjithatë, as në kohën kur vala e pandemisë nuk ka filluar të ngritet ende, nuk është vonë të bëhet një paralajmërim i tillë. Për ta luftuar koronavirusin në vend që të luftonin FRIKËN, qytetarët e Kosovës do duhej të silleshin si institucionalistë e të respektonin masat institucionale, të mos shikonin vetëm brengat e tyre e të shtonin kujdesin ndaj të moshuarve e personave me probleme shëndetësore. Detyra e tyre nuk përfundon këtu! Ata do duhej të receptonin edhe informatat në një qasje më kritike, në mënyrë që të mos i participonin FRIKËS kolektive. FRIKA të bën të njerëzishëm, por kur ajo infekton çdo veprim, mund të bëhet më vdekjeprurëse sesa vetë virusi!

(Autori është gazetar i portalit lajmi.net)