“Kopshti i ngrirë i Edenit”, bunkeri ku ruhen farat e gjithë bimëve të botës (Foto)
Është një bunker i ngrirë akull. Në veri të planetit, pikërisht në Longyearbyen të Norvegjisë, gjendet një magazinë e vërtetë, në të cilën ruhen 400 milionë fara, praktikisht i gjithë biodiversiteti i botës, i mbrojtur nga kërcënimi bërthamor, tërmetet dhe sulmet terroriste.

Fun
Në fillim, ideja e një magazine të tillë në zonën e Arktikut dukej si e dalë nga një film fantashkencë. Por tetë vjet pas inaugurimit, Svalbard Global Seed Vault ka marrë nga Siria kërkesën e parë për tërheqjen e farave.
Svalbard ndodhet në zonën ku kalon paraleli i 78, njëmijë km nga Poli i Veriut. Është një grumbull ishujsh që shpesh nuk figurojnë as në hartë. Zona është një hapësirë pa pemë dhe pa insekte, ku dielli nuk perëndon nga prilli në gusht dhe dimri zgjat 155 ditë, pa parë dritën e diellit. Dymijë banorët e zonës lëvizin të armatosur, një masë kjo e përcaktuar me ligj, për t’u mbrojtur nga arinjtë polarë.
Të gjitha vendet e botës kanë dërguar këtu fara të bimëve që rriten në vendet e tyre, nga Koreja e Veriut te SHBA-të, nga Mongolia te Gjermania. Të fundit në rendin kronologjik janë delegacionet e Perusë dhe Kosta Rikës.
Tashmë shifrat e magazinës norvegjeze mund të habisin shumë njerëz. Janë mbi 850 mijë varietete farash, 500 ekzemplarë për secilën, të cilat ruhen në temperaturën minus 18 gradë.
Pak ditë më parë, ky superbunker ka pasur kërkesën e parë për tërheqje, e cila ka ardhur nga Qendra Ndërkombëtare për Kërkime Agrikulturore në Aleppo, Siri. Kjo qendër është një nga më të mirat në fushën e zhvillimit dhe sigurisë ushqimore. Pas fillimit të luftës që ka shkatërruar një pjesë të mirë të vendit, kjo qendër u vu nën kontrollin e grupeve të armatosura.
“Por për fat të mirë, duke nisur nga viti 2009, ne kishim nxjerrë jashtë vendit nga një kopje të të gjitha farave të bimëve të Sirisë”, thotë Rabat Ahmed Amri, drejtor i Resurseve Gjenetike në këtë qendër.
Sasia e fundit është dërguar në bunkerin norvegjez vitin e kaluar.
Tashmë një pjesë e mirë e këtyre farave, mes të cilave grurë, elb dhe bimë që rriten në zona me thatësirë, do të dërgohen në depozitat që qendra siriane ka hapur në Marok dhe Liban. Menjëherë pas riprodhimit të tyre, farat e reja do të dërgohen mbrapsht në Norvegji.
Superbunkeri norvegjez drejtohet nga Fondi Botëror për Diversitetin e Kulturave. Objektivi i saj është mbrojtja e biodiversitetit, pasi e kaluara ka dëshmuar se rreziqet janë reale.
Vlen të përmendet këtu rasti i Bankës Kombëtare në Filipine, e cila u dëmtua nga përmbytjet në vitin 2008 dhe u shkatërrua tërësisht nga një zjarr 6 vjet më vonë. Raste të ngjashme janë ato të depozitave të Afganistanit dhe Irakut, të shkatërruara tërësisht gjatë viteve të luftës.
Disa vite më parë, në ditën e inaugurimit të depozitës në Svalbard, presidenti i BE-së, Manuel Barroso, e pati quajtur këtë vend “një kopsht të ngrirë të Edenit”, një vend ku jeta bimore mund të ruhej përjetësisht, çfarëdo që të ndodhte në botë. Dhe siç kanë treguar faktet, ai ka pasur shumë të drejtë./gsh