Kontributi i Devollëve, mbi 18.3 milionë euro në vit për buxhetin e Kosovës

Çdo prodhim nga gruri është 100 për qind me kokrra të grurit, rreth 70 për qind nga ajo del miell, ndërsa pjesa tjetër është krunde.

Lajme

02/03/2015 19:04

Kështu kanë thënë përfaqësues të kompanisë Devolli, të cilët gjatë ditës së hënë kanë ftuar mediat që tu tregojnë procesin e përpunimit të grurit deri në produktin final, miell.

Me këtë rast përfaqësues të kësaj kompanie kanë prezantuar edhe Devollët si kompani, çfarë ndikimi kanë në mirëqenie sociale, për kontributet e tyre në rastet sociale e të tjera.

Seat Shehu, drejtor i kompanisë ‘M- Sillosi’, ka prezantuar dhe ka treguar për prodhimin e miellit nga gruri, e që, sipas tij, për cilësinë e grurit që prodhohet në këtë kompani kanë qenë të qarta edhe nga institucionet përkatëse.

“Ne jemi të bindur që produktet tona janë produkte shumë cilësore edhe përmbajnë të gjitha vlerat ushqyese që duhet me i pasur produkti i caktuar. Kemi pritur që të reagojnë institucionet që janë përgjegjëse për kontrollimin e cilësisë së produkteve, në këtë rast ka reaguar edhe AVUK-u si dhe Instituti bujqësor i Kosovës me rezultate që janë të verifikuara dhe garantojnë që produktet tona janë të mira”, ka thënë Shehu.

Ai po ashtu ka treguar se 80 për qind e grurit importohet, ndërsa 20 për qind e saj merret nga pikat grumbulluese në Kosovë.

Shehu tha se importin e bëjnë nga vendet të ndryshme e jo vetëm nga Serbia. Po ashtu, ka thënë se janë të hapur për të gjithë të vizitojnë kompaninë dhe të binden për cilësinë e produktit, në këtë rast miellit.

Argjira Lluka, nga kompania Devolli, ka bërë prezantimin e Devollit duke treguar kontributin tyre.

“ Devollët brenda vitit paguajnë 18.3 milionë euro taksa vjetore ndaj shtetit të Kosovës. Devollët po ashtu punësojnë mbi 1 mijë persona që arrijnë të kenë pagë 30 për qind më të lartë se paga mesatare në shtetin e Kosovës. Gjithashtu Devollët kanë bashkëpunim dhe japin kontribut në jetesën e mbi 16 mijë bujqve të Kosovës e kjo bëhet duke bërë grumbullimin e lëndës së parë “, ka thënë Lluka.

Ajo po ashtu ka prezantuar edhe cilësinë që e ofrojnë ata.

“Devollët brenda viteve kanë arritur të marrin certifikata të ndryshme, disa prej tyre janë HACCAP , ISO standard… Devollët me kapacitetin e tyre përpos që kanë arritur të kenë mbulueshmëri të tregut të Kosovës, kanë arritur të hyjnë edhe në tregjet e rajonit dhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.

Po ashtu, përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë treguar se Devollët kanë kontribuar në dhurimin e 11 vendbanimeve, po ashtu ata sipas prezantuesve kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e jetesës së bashkëqytetarëve si dhe në avancimin e sportit, duke mbështetur edhe kampionen botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi.