Kontrata më e pasur e karrierës: Rrahmani shpërblehet nga Napoli

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është shumë pranë vazhdimit të aventurës së tij me Napolin, pasi pritet të rinovojë kontratën edhe për disa sezone të tjera, duke përfituar një rritje të ndjeshme të pagës. Gazetari italian Nicolo Schira raporton se qendërmbrojtësi do të firmosë një marrëveshje të re me klubin napolitan, e cila do t’i…

Sport

07/01/2026 16:13

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është shumë pranë vazhdimit të aventurës së tij me Napolin, pasi pritet të rinovojë kontratën edhe për disa sezone të tjera, duke përfituar një rritje të ndjeshme të pagës.

Gazetari italian Nicolo Schira raporton se qendërmbrojtësi do të firmosë një marrëveshje të re me klubin napolitan, e cila do t’i sigurojë atij rreth 3.8 milionë euro në vit. Kjo shifër përfaqëson kontratën më fitimprurëse të karrierës së Rrahmanit, pasi më parë, sipas të dhënave, ai përfitonte rreth 3.2 milionë euro në sezon.

Sipas Schira, 30-vjeçari ka vendosur të refuzojë oferta të majme nga Arabia Saudite, Turqia dhe Liga Premier, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në Napoli, ku është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes.

Rrahmani ka ndërtuar një karrierë të pasur në Evropë, duke luajtur për RNK Split, Lokomotiva Zagreb dhe Dinamo Zagreb mes viteve 2015 dhe 2019.

Më pas, Hellas Verona e transferoi nga Dinamo për 3.5 milionë euro, ndërsa Napoli investoi 15 milionë euro për shërbimet e tij në vitin 2020, shkruan Gazeta Express.

Në statistika, mbrojtësi kosovar numëron 109 paraqitje në Superligën e Kroacisë, ku ka fituar dy tituj kampioni, ndërsa në Serie A ka zhvilluar 156 ndeshje, duke u shpallur gjithashtu dy herë kampion me Napolin.