Kontestohet legjitimiteti i Bislimit për takimin e dialogut në Bruksel
Përfaqësimi i Kosovës në dialogun me Serbinë të hënën nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, po konsiderohet i pa legjitim. Rikthimi në tryezën e dialogut në Bruksel, ndërkohë që në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe njohës të këtij…

Lajme
Përfaqësimi i Kosovës në dialogun me Serbinë të hënën nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, po konsiderohet i pa legjitim. Rikthimi në tryezën e dialogut në Bruksel, ndërkohë që në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe njohës të këtij procesi.
Këta të fundit thonë se Qeveria Kurti është në detyrë dhe, përderisa ndodhet në këtë pozitë, nuk duhet të marrë pjesë në takime që prekin interesat afatgjata të vendit.
Megjithatë, pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi, e arsyetoi pjesëmarrjen e tij në Bruksel, duke thënë se ishte planifikuar edhe një takim me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, por për shkak të arsyeve teknike ai takim nuk kishte ndodhur.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaron se në kushtet e një krize politike dhe mungesës së institucioneve të reja pas zgjedhjeve, as Bislimi dhe as ndonjë tjetër nga qeveria në detyrë nuk kanë legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në dialog me Serbinë.
“Për katër vjet kanë qenë bllokuesit e dialogut, dhe tani, kur jemi në një situatë të tillë pa zgjidhje dhe pa konstituim të Kuvendit, situatë që po ndodh për shkak të tyre dhe tani ata po gjejnë kohë për të dialoguar. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet, pasi është në detyrë dhe nuk ka mandat të plotë për të dialoguar apo për të marrë vendime, të cilat po rezultojnë të jenë antiligjore dhe antikushtetuese. Mandati i tyre ka skaduar më 9 shkurt dhe ata janë një qeveri në detyrë”, deklaron Kadrijaj.
KosovaPress ka kontaktuar deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të komentuar pjesëmarrjen e djeshme të Bislimit në Bruksel, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Legjitimitetin e Bislimit për të marrë pjesë në takime në Bruksel e konteston edhe ish-diplomatja Alma Lama. Ajo thotë, se përderisa nuk është formuar një qeveri e re nga zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka legjitimitet për të marrë pjesë në dialog me Serbinë. Madje, ajo kritikon edhe Bashkimin Evropian që ka dërguar ftesë për palën kosovare në këto rrethana.
“Përderisa nuk ka një qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka legjitimitet për të shkuar e për të biseduar në dialog. Është e paqartë për çfarë po bisedohet, pasi as zoti Bislimi dhe as të tjerët nuk kanë legjitimitet. Kjo është një qeveri në detyrë, e cila nuk duhet të merret me çështje të mëdha dhe kapitale. Nga ana tjetër, nuk e kam të qartë pse Brukseli i fton, duke marrë parasysh se në Kosovë mungon një qeveri legjitime dhe me mandat të plotë për të marrë vendime të rëndësishme në dialog”, theksoi Lama.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, pas takimit të parë zyrtar me emisarin Sorensen në Bruksel, u shpreh se Kosova mund të përfitojë në disa tema, nëse ka konstruktivitet nga ana e Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Ai përmendi çështjen e pikave të reja kufitare dhe mosfunksionimin e linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, Bislimi deklaroi se Sorensen e njoftoi atë për qasjen që mendon të ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve dhe potencoi se aktualisht ekzistojnë vështirësi për mbajtjen e takimeve trilaterale në nivel të lartë.
“Fillimisht, ai na tregoi për qasjen që mendon të ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve – qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e nivelit të lartë që do të udhëhiqen nga zonja Kallas. Në takimin bilateral, ngritëm një sërë temash për të cilat besojmë se është me rëndësi që sa më shpejt të kemi përgjigje apo zgjidhje nga Brukseli. Natyrisht që ka vështirësi, sepse nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë ka disa tema nga të cilat Kosova mund të përfitojë, nëse ka qasje konstruktive nga Serbia. Mendoj që nuk do të ishte në rregull të humbim këto mundësi vetëm sepse në Prishtinë ka pengesa për konstituimin e Kuvendit”, theksoi Bislimi.
Pas takimit me Bislimin, u deklarua edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, i cili tha se me Bislimin kanë diskutuar një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai bëri të ditur se së shpejti planifikojnë të organizojnë një takim trepalësh.
Sipas agjendës së tij, Sorensen planifikon të martën të takohet edhe me kryenegociatorin serb për dialogun, Petar Petkoviq.
Mesazhe për rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi ka dhënë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë dhe Serbi më 21–22 maj. Ajo theksoi nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, për të cilat Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2023. /kp