Kontest kushtetues rreth konstituimit të Kuvendit – PDK dhe LDK bojkotojnë mbledhjen e thirrur nga Dimal Basha
Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një ngërç politik dhe kushtetues, pasi kryetari Dimal Basha ka shpallur të mbyllur seancën konstituive pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, një kërkesë e përcaktuar qartë në Kushtetutë. Ky veprim ka nxitur reagimin e ashpër të partive opozitare. Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar…

Lajme
Konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka hyrë në një ngërç politik dhe kushtetues, pasi kryetari Dimal Basha ka shpallur të mbyllur seancën konstituive pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, një kërkesë e përcaktuar qartë në Kushtetutë.
Ky veprim ka nxitur reagimin e ashpër të partive opozitare. Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të thirrur për nesër, duke e cilësuar procesin si të papërfunduar, transmeton lajmi.net.
“Për PDK-në, Kuvendi nuk është ende i konstituuar, pasi Kryesia nuk është zgjedhur në përbërjen e saj të plotë, siç kërkohet me Kushtetutë,” thuhet në reagimin zyrtar të kësaj partie.
Në të njëjtën vijë ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Dimal Bashën për interpretim të gabuar të Kushtetutës, duke e quajtur “të pabazë” përfundimin formal të seancës. “Konstituimi i Kuvendit është i vlefshëm vetëm pasi të zgjidhen të gjithë nënkryetarët, përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb,” ka deklaruar Abdixhiku, duke e quajtur mbledhjen e radhës të Kryesisë si një “çmenduri politike” ku LDK nuk do të marrë pjesë.
Ndërkohë, njohës të çështjeve juridike dhe politike kanë theksuar se veprimi i Bashës nuk është në përputhje me frymën e Kushtetutës. Sipas tyre, mungesa e një nënkryetari nga komuniteti serb e bën procesin të paplotë dhe e pamundëson funksionalizimin e plotë të Kuvendit.
Përplasja rreth konstituimit pritet të thellojë më tej krizën institucionale, ndërkohë që pritet që Gjykata Kushtetuese të kërkohet të japë interpretimin përfundimtar për vlefshmërinë e këtij procesi./lajmi.net/