Konsumi rekord i rrymës po çon në djegien e aseteve elektroenergjetike, thotë zëdhënësi i KEDS-it

Për shkak të konsumit të lartë dhe rekord të energjisë elektrike, që po arrin mbi 1400 MW/h, po shkaktohen ngarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste. Kështu bëri të ditur për Klan Kosova zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi. “Kjo nuk nënkupton reduktime…

Lajme

26/12/2024 10:55

Për shkak të konsumit të lartë dhe rekord të energjisë elektrike, që po arrin mbi 1400 MW/h, po shkaktohen ngarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste.

Kështu bëri të ditur për Klan Kosova zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

“Kjo nuk nënkupton reduktime ose ndalesa të energjisë elektrike, por tregon për ngarkesë të madhe në rrjetin elektrik shpërndarës dhe të transmisionit, duke sfiduar sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, shtoi ai.

Krasniqi thekson se aktualisht rajoni i Ferizajt po përballet me sfida për shkak të këtyre ngarkesave, ku furnizimi me energji elektrike është i kufizuar.

“Mbingarkesat janë shfaqur si në transmision ashtu edhe në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ku po paraqitet nevoja për tejkalimin e ngarkesave për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëme të mëdha në pajisjet kyçe”.

Në tejkalimin e kësaj sfide, Krasniqi thotë se do të ndihmojë nënstacioni Kastrioti, i cili është në ndërtim nga ana e KOSTT-it, e cili thuhet se do të përfundojë së shpejti.

“Sipas informatave, Nënstacioni Kastrioti, i cili është në ndërtim nga ana e KOSTT-it, pritet të përfundojë së shpejti, çka besohet se do të ndihmojë në tejkalimin e kësaj sfide në këtë rajon”, tha Krasniqi.

“KEDS apelon për mbështetjen e konsumatorëve në këto momente dhe i fton të gjithë të kursejnë energjinë elektrike, duke shmangur përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut. Sidomos ata që përdorin energjinë elektrike për ngrohje, këshillohen ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më racionale, për të mundësuar një operim më të mirë të rrjetit dhe shërbim më efikas”.