Konstituimi i Kuvendit, analistët: Paritë politike të bëjnë kompromise
Edhe përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka dhënë rezultat. As në vazhdimin e seancës së mbajtur të hënën nuk pati vota të mjaftueshme për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Njohësi i zhvillimeve politike, Muhamet Kelmendi, vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje, PDK dhe LDK…

Lajme
Edhe përpjekja e 18-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka dhënë rezultat. As në vazhdimin e seancës së mbajtur të hënën nuk pati vota të mjaftueshme për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Njohësi i zhvillimeve politike, Muhamet Kelmendi, vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje, PDK dhe LDK duhet të bëjnë kompromise për të mundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Politikanët e ndërgjegjshëm, që e dinë situatën nëpër të cilën po kalon populli i tyre, bëjnë kompromise. Sistemet politike demokratike-liberale e kanë bazën e vet te kompromiset. Do të thotë që VV, PDK dhe LDK duhet të bëjnë kompromise. Kemi arritur në një gjendje ku kompromiset janë mënjanuar tërësisht nga skena politike dhe juridike në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës,” tha ai në RTK.
Kelmendi shtoi se për qytetarët e Kosovës, seancat e Kuvendit dhe deklaratat e vazhdueshme të partive politike janë shndërruar në monotoni, me akuza të ndërsjella për përgjegjësinë e dështimit në konstituimin e Kuvendit.
Megjithatë, Kelmendi vlerësoi se kryetari i PDK-së këtë herë ishte më i moderuar, pasi kërkoi që të ndërtohet një qeveri dhe të ecet përpara, madje propozoi edhe ndërrimin e kandidatit. Nga ana tjetër, ai kritikoi qëndrimin e LDK-së, duke e cilësuar si jashtëzakonisht tendencioz.
“Nuk e ka marrë ai votën e qytetarëve për të qenë në pozita të tilla, sepse nëse deklarohet se nuk hyn në asnjë koalicion të mundshëm pa marrë pozitën e kryeministrit, atëherë kuptohet që nuk ka për qëllim të ndërtojë një qeveri të mirëfilltë funksionale, por synon ta udhëheqë shtetin nga pozicioni i tretë i partisë. Kjo nuk i bën mirë as LDK-së, as politikës në përgjithësi në Kosovë. Natyrisht, pa përjashtuar asnjëherë përgjegjësinë kryesore që e ka VV-ja, sepse ajo ka marrë 48 deputetë,” u shpreh ai.
Kelmendi theksoi se është detyrë e VV-së të kërkojë koalicione dhe aleatë për ndërtimin e qeverisë. “VV i ka detyrimet juridike, kushtetuese dhe politike që t’u bëjë thirrje të gjitha partive për të shkuar drejt ndërtimit të koalicioneve dhe për të dalë nga ngërçi që është krijuar,” përfundoi ai.