Konkurs për mësimdhënës të kualifikuar (Video)

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e cila ditë më parë kishte deklaruar se në shkollat e kryeqytetit ka mësimdhënës të pakualifikuar, ka thënë se për këto pozita që mbajnë të pakualifikuarit tashmë është shpallur konkursi për mësimdhënës të kualifikuar.

Lajme

12/11/2014 16:09

Nagavci të mërkurën në një konferencë për media, ku ka shpalosur punën e deritanishme, planet dhe projektet e kësaj drejtorie, ka thënë se nga vizitat që kanë bërë në shkollat e mesme, kanë identifikuar 10 raste të mësimdhënësve me kualifikim joadekuat.

“Kemi identifikuar mësimdhënës me Universitete private, kemi identifikuar që janë me Fakultete të Edukimit  e që punojnë në shkolla të mesme, por kemi edhe raste kur persona me shkollë të mesme punojnë si mësimdhënës. Dhe për këto raste, me shkollë të mesme, ne tashmë e kemi hapur konkursin”.

 Nagavci ka thënë se në këtë fillim të vitit shkollor ka pasur dy konkurse, njeri ka qenë në shtator i hapur për 49 pozita për mësimdhënës,  ka përfunduar në tersi dhe tash ka përfunduar edhe konkursi plotësues për 33 pozita shtesë.

Drejtoresha e Arsimit të Prishtinës ka treguar se ka pasur konkurse të hapura edhe për drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave.

“Për drejtorët dhe zëvendësdrejtor të shkollave kanë qenë të hapura 22 pozita. Disa prej këtyre pozitave janë anuluar për shkak të mos plotësimit të kritereve të kërkuara me konkurs”, ka thënë Nagavci, njofton lajmi.net.

Duke folur për punën e bërë deri më tani nga Drejtoria e Arsimit, ajo ka shpalosur disa projekte te realizuar e që kanë qenë premtim nga kryetari Shpend Ahmeti gjatë fushatës së tij, në garën për Prishtinën.

Nagavci  ka përmendur si zotim të realizuar transparencën në emërimit e personelit arsimor, shujtën falas për nxënësit e klasave I-V, lehtësimin e çantave për fëmijët.

Po ashtu ajo ka përmendur edhe cilësi në arsim, përmirësimin e infrastrukturës shkollore etj.