Konjufca pret të dërguarin slloven për BP: Pasiguria në rajon ka burim ambicien e Serbisë për zgjerim territorial

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš. Në takim u shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet. Kryeparlamentari Konjufca shprehu vlerësimin e tij se sot pasiguria në rajon ka…

Lajme

04/07/2024 16:37

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš.

Në takim u shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet.

Kryeparlamentari Konjufca shprehu vlerësimin e tij se sot pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, “agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial”.

Siç thuhet në njoftim në këtë takim është diskutuar edhe për gjendjen në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht nevojën që BE-ja të bejë më shumë që Serbia t’i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si korniza bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Frangeš shprehu qënedrimin e tij se Sllovenia, por edhe BE-ja duhet të njohin më shumë perspektivën se si palët, përkatësisht ajo e Kosovës, i shohin gjërat në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në qasjen më adekuate të faktorit ndërkombëtar kundrejt zhvillimeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe zhvillimeve politike në përgjithësi në rajonin tonë”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/