​Konjufca nga Haga: Shkelje brutale e të drejtave të njeriut, verdikti të jetë në përputhje me lavdinë e UÇK-së

“Shpresojmë që verdikti të jetë në përputhje me historinë dh elavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca para Gjykatës Speciale në Hagë, të mërkurën. Para gazetarëve, ai theksoi se në procesin gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur shkelje brutale të të drejtave të njeriut.…

Lajme

18/02/2026 09:03

“Shpresojmë që verdikti të jetë në përputhje me historinë dh elavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca para Gjykatës Speciale në Hagë, të mërkurën.

Para gazetarëve, ai theksoi se në procesin gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur shkelje brutale të të drejtave të njeriut. Siç tha ai, është mohuar e drejta që personi të gjykohet në kohë të arsyshme.

“Është dita e fundit e këtij procesi i cili zgjati kaq shumë, i procesit të gjykimit të katër drejtuesve të UÇK-së, njëri prej tyre Thaçi ishte president i Kosovës, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli ishin kryetar të Kuvendit të Republikës sonë, kurse Rexhep Selimi gjeneral i UÇK-së dhe udhëhoqi grupin parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Tashmë ata e kanë marr një ndëshkim të padrejtë sepse procesi zgjati aq shumë sa që unë pretendoj dhe të gjithë pretendojmë së bashku se u shkel e drejta elementare e njeriut që mbrohet edhe me Konventën e Kombeve të Bashkuara edhe me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën tonë dhe kjo është e drejta që personi të gjykohet në kohë të arsyeshme”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se kjo e drejtë është shkelur në mënyrë të dhunshme, pasi për më shumë se pesë vite ata janë mbajtur të izoluar dhe larg familjeve të tyre.

“Ne e patëm kritikën tonë gjithmonë për këtë gjykatë se ishte gjykatë një etnike dhe fokusin e kishte pa drejtësisht në UÇK-në e unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, ka qenë luftë e pastër ka qenë luftë mbrojtëse nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformua okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë që vranë fëmijë e gra e pleqë e që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë… Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion, këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshoj asnjë”, tha ai.