Konjufca në Strasburg kërkon antarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: I kemi përmbushur kriteret
Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë një vizite zyrtare në Strasbourg, ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të lartë të Këshilli i Evropës, ku në fokus ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm, Alain Berset, Konjufca theksoi se…
Lajme
Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë një vizite zyrtare në Strasbourg, ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të lartë të Këshilli i Evropës, ku në fokus ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm, Alain Berset, Konjufca theksoi se procesi i anëtarësimit të Kosovës është përmbyllur në aspektin institucional. Ai rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka dhënë vlerësim pozitiv, duke konstatuar se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, vonesat aktuale lidhen me dinamika politike jashtë kornizës së organizatës, të cilat mund të ndikojnë në besueshmërinë e proceseve dhe në të drejtat e qytetarëve.
Konjufca ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Gjatë vizitës, ai u takua edhe me Presidenten e Asamblesë Parlamentare, Petra Bayr, të cilën e uroi për detyrën dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai vlerësoi rolin e Asamblesë në trajtimin profesional të aplikimit të Kosovës, duke theksuar se procesi teknik është përmbyllur dhe se ekziston mbështetje e gjerë politike, e reflektuar në 82% të votave në favor të anëtarësimit.
Takimet në Strasburg përfshinë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Mathieu Mori, si dhe përfaqësues të grupeve politike në Asamblenë Parlamentare, përfshirë Frank Schwabe, Iulian Bulai dhe Knut Abraham. Në këto takime u diskutua ecuria e procesit të anëtarësimit dhe hapat e mbetur drejt vendimmarrjes përfundimtare.
Po ashtu, Konjufca zhvilloi takim edhe me Piero Fassino, kryetar i Nënkomitetit për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare.
Në një mëngjes pune me ambasadorë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, u diskutua rëndësia e anëtarësimit për qytetarët e Kosovës, veçanërisht në aspektin e qasjes në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Konjufca theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të forconte mbrojtjen e të drejtave të njeriut, do të rriste besimin në institucionet demokratike dhe do të përshpejtonte avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane.