Konjufca ndan detaje nga takimi me homologen e tij sllovene

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič. Fjala e Kryetarit Glauk Konjufca pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp:  Shumë e nderuar Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, shkëlqesia juaj znj. Urška Klakočar Zupančič,  Të nderuar përfaqësues të dy…

Lajme

01/07/2024 16:31

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.

Fjala e Kryetarit Glauk Konjufca pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp: 

Shumë e nderuar Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, shkëlqesia juaj znj. Urška Klakočar Zupančič, 

Të nderuar përfaqësues të dy parlamenteve tona, 

Të nderuar ambasadorë, 

Të nderuar përfaqësues të mediave të pranishëm në këtë konferencë shtypi,

Isha shumë i lumtur dhe shumë i nderuar të pres sot në vizitën e saj të parë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe në Kuvendin e Kosovës, Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, znj. Klakočar Zupančič, në kuadër të vazhdimit të marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona. Kjo është vizita e parë në nivel të kryetarëve të parlamenteve që bëhet nga Republika e Sllovenisë. 

Kryetares Klakočar Zupančič i urova mirëseardhje dhe e falënderova për mbështetjen e palëkundur që shtetin slloven i jep Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme sidomos ato integruese. 

Zhvilluam një bisedë shumë miqësore për shumë çështje që prekin dy shtetet tona, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe nevojën për thellimin dhe intensifikimin e këtij bashkëpunimi posaçërisht mes dy Kuvendeve tona. 

E njoftova kryetaren Zupančič për përparimin që ka bërë Kosova në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik gjatë viteve të fundit. Në emër të institucioneve të Republikës sonë, e falënderova për përkrahjen e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës pa asnjë kushtëzim, një proces ky i stërzgjatur dhe padrejtësisht i vonuar për qytetarët tanë. Njëkohësisht e shpreha mirënjohjen edhe për mbështetjen e madhe që na jep shteti slloven për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Mbështetja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit tonë kolektiv ndaj të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike. 

Me homologen time Zupančič ndamë pikëpamjet tona mbi zhvillimet në rajon dhe në Evropë në përgjithësi si dhe diskutuam për sfidat aktuale, sidomos ato të sigurisë pas agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet e tij globale, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë. Kosova dhe Sllovenia fuqishëm janë të drejtuara në anën e lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës. Sllovenia ka qenë ndër shtetet që fuqishëm është angazhuar me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian për avancimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. 

Ndërsa integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka qenë një objektiv i përbashkët për bashkimin e rajonit në BE në kontekstin e realitetit të sotëm gjeopolitik dhe të sigurisë, u pajtuam për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërinstitucional në këtë kohë sfiduese për të gjithë kontinentin tonë.  Siç edhe e dini, Kosova ende është në pritje të përgjigjes për kërkesën e saj për anëtarësim në BE, duke qenë i vetmi vend në rajon i cili nuk e ka këtë status. 

I shpreha shqetësimin tonë si popull dhe si shtet znj. Zupančič për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë, që kulmuan me ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar kur kundër Kosovës u krye një sulm i egër dhe terrorist, me ç’rast Serbia përmes një grupi të armatosur terrorist vrau Rreshterin Afrim Bunjaku dhe i plagosi edhe dy policë të tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u dënuar dhe pa u vënë para drejtësisë kryesit e këtij krimi dhe pa u adresuar përpjekjet e tilla destabilizuese. 

E njoftova kryetaren Zupančič për qëndrimin tonë parimor, për angazhimin dhe rolin  konstruktiv në dialogun e zhvilluar në Bruksel dhe për marrëveshje që duhet ta këtë njohjen reciproke në qendër si e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në rajonin tonë. 

Theksova se institucionet tona i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për të përmbushur kërkesat e BE-së pas vendosjes së sanksioneve të padrejta ndaj Kosovës, por megjithatë edhe sot kur po flasim ato masa vazhdojnë të jenë në fuqi. Unë e falënderova znj. Zupančič që Sllovenia është njëri prej shteteve të BE-së, i cili është në favor të heqjes së këtyre masave ndaj Republikës së Kosovës. 

Sllovenia vazhdimisht ka pasur një rol aktiv në arenën ndërkombëtare përmes vazhdimit të angazhimit të saj lidhur me proceset politike, të sigurisë dhe ato integruese në rajon përmes angazhimit të saj në kuadër të nismave të rëndësishme rajonale. 

Sllovenia për Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin është shembull i zhvillimit dhe progresit që ka shënuar që nga shpallja e pavarësisë së saj e sidomos për suksesin e saj të treguar si shtet i integruar në strukturat euro-atlantike. Andaj, ekspertiza dhe mbështetja politike, por edhe asistenca teknike e institucioneve të shtetit slloven janë një ndihmë e pakompensueshme për Kosovën, për çka ne u jemi shumë mirënjohës si shtet. 

Kur jemi tek çështjet e sigurisë dhe të paqes, ne shprehim falënderimin e parezervë për Slloveninë, për kontributin që jep ajo edhe me kapacitetet e saj ushtarake në kuadër të forcave të KFOR-it. 

Marrëdhëniet mes dy vendeve tona historikisht kanë qenë shumë të mira. Ne kemi ndërtuar një traditë të mirë të bashkëpunimit bilateral dhe ky bashkëpunim është duke u forcuar në vazhdimësi. Sllovenia ka treguar aleancën e saj të fortë me Kosovën edhe në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë, duke qenë Sllovenia njëri ndër shtetet e para që e njohu atë. 

Kosova dhe Sllovenia kanë zhvilluar bashkëpunim bilateral në shumë fusha, si në aspektin e sigurisë, atë ekonomik, arsimor dhe në kulturë. Një lidhje shumë të fuqishme ndërmjet dy vendeve tona e kanë krijuar bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë në Slloveni. Integrimi i diasporës tonë atje dhe përfshirja në institucionet sllovene e forcon edhe më shumë lidhjen mes dy popujve tonë. 

Të dyja Kuvendet kanë formuar grupet e tyre të miqësisë, ato bashkëpunojnë shumë mirë  dhe kjo është një pikënisje shumë e mirë për të thelluar bashkëpunimin ndërparlamentar mes dy vendeve tona në fushat e interesit të përbashkët. Në këtë drejtim, në pjesën e dytë të vitit do t’i kemi të pranishme në Kuvendin tonë edhe dy delegacione të tjera të cilat vijnë nga Asambleja Nacionale e Sllovenisë e të cilat do të qëndrojnë për vizitë në vendin tonë dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për bashkëpunim në të ardhmen. 

Ne shprehëm gatishmërinë tonë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona të zgjerohen për të hapur perspektivë më të gjerë të zhvillimit për të dy vendet tona. 

Unë jam shumë optimist se dy shtetet dhe shoqëritë tona do të kultivojnë edhe më tej marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe me përkrahjen e Sllovenisë rrugëtimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është padyshim më i shpejtë dhe më i sigurt. 

Edhe një herë e falënderoj Kryetaren Zupančič që ka pranuar ftesën time për ta vizituar Republikën e Kosovës dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Zonja Kryetare, ju faleminderit shumë!

Jeni gjithmonë e mirëseardhur në Kosovë!