Konjufca: Kuvendi do të konstituohet sot, Kurti do të bëhet sërish kryeministër
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se pret që sot të përfundojë votimi për nënkryetarin e Kuvendit. Ai tha se zgjedhja e Nenad Rashiq nuk përbën shkelje kushtetuese. “Presim që sot të përfundohet votimi për nënkryetarin. Pas tentimeve të deputetëve të Listës Serbe, presim t’i vijë radha Rashiqit. Zgjedhja e tij gjykojmë që…

Lajme
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se pret që sot të përfundojë votimi për nënkryetarin e Kuvendit.
Ai tha se zgjedhja e Nenad Rashiq nuk përbën shkelje kushtetuese.
“Presim që sot të përfundohet votimi për nënkryetarin. Pas tentimeve të deputetëve të Listës Serbe, presim t’i vijë radha Rashiqit. Zgjedhja e tij gjykojmë që nuk përbën shkelje kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka votë pro për asnjë nga deputetët e Listës Serbe”, deklaroi Konjufca.
“Së shpejti do ta kemi Albin Kurtin kryeministër për herë të tretë. Prej nesër fillon rrjedhja e kohës për formimin e Qeverisë sepse sot do të kemi Kuvend të konstituuar”, tha ai, para fillimit të seancës.
I pyetur nëse ka pasur negociata me ndonjë parti, ai tha se “negociatat gjithmonë ndodhin, bisedimet gjithmonë ndodhin”.
LVV-ja ka theksuar sërish se nuk do ta votojë asnjë deputet të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për pozitën e nënkryetarit.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se nënkryetar nga komuniteti serb duhet të zgjidhet Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Rashiq i mori 56 vota [në seancën e kaluar], nevojiten edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë”, tha Murati./Lajmi.net/