Konjufca: Kjo që po ndodh, pasojë e politikës – Hoti t’i drejtohet Speciales
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka folur për formimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Lajme
Ai në emisionin DebatPlus të TV Dukagjinit ka akuzuar politikanët kosovarë se nuk kanë bërë asgjë për mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së.
“Kjo që po ndodh është rezultat i votimit të Speciales nga Kuvendi i Kosovës. Të thuash se do të krijohet një gjykatë që do të hetojë krimet e shqiptarëve, është gabim. Ku ka gjykatë që fushëveprimin e saj e definon në mënyrë një etnike? Specialja u votua pas një presioni të hatashëm të Presidentit Thaçi ndaj deputetëve të PDK-së. Gjykata Speciale me 80 vota u kthye pjesë e Kushtetutës sonë”, tha Konjufca.
Ai ka theksuar se kryeministri Avdullah Hoti duhet t’i drejtohet Speciales rreth mandatit të saj.
“Gjykata Speciale nuk shpërbëhet. Mandati mund t’i ketë skaduar, por kjo nuk po ndal punën e saj. Kryeministri duhet t’i drejtohet Speciales dhe të problematizojë mandatin e saj. Nëse ka bazament në ligj për vazhdimin e mandatit, kjo është një çështje për të cilën qeveria të interesohet dhe të mos jetë vetëm shikuese”, u shpreh Konjufca.