Konjufca ia rrëzon argumentin Kurtit për Ohrin, e pranon se marrëveshja ka obligime edhe pa nënshkrim

Një deklaratë e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Forumin e Dubrovnikut ka nxjerrë në pah një mospërputhje me qëndrimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur vazhdimisht për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit. Për vite me radhë, Kurti ka argumentuar se fakti që marrëveshja nuk është nënshkruar e…

Lajme

30/06/2026 08:31

Një deklaratë e ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Forumin e Dubrovnikut ka nxjerrë në pah një mospërputhje me qëndrimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur vazhdimisht për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e Ohrit.

Për vite me radhë, Kurti ka argumentuar se fakti që marrëveshja nuk është nënshkruar e bën të diskutueshme vlefshmërinë e saj, sidomos kur është pyetur për zbatimin e nenit 7, që lidhet me vetëmenaxhimin e komunitetit serb, dhe nenit 10, që kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në dialogun me Serbinë, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, Konjufca, duke folur në panelin e Forumit të Dubrovnikut, pranoi se marrëveshja përmban angazhime që duhet të zbatohen, edhe pse nuk është nënshkruar.

“Ne ishim të gatshëm ta nënshkruanim, por Serbia e refuzoi. Më pas ndërmjetësuesit iu përshtatën situatës së re. Ishte një marrëveshje që përmbante angazhime, edhe pse nuk ishte e nënshkruar, ashtu siç po e shpjegon edhe z. Sorensen”, deklaroi Konjufca.

Deklarata e tij erdhi pasi emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, tha se Marrëveshja e Ohrit është një obligim ndërkombëtar dhe se një marrëveshje e arritur mes palëve nuk ka nevojë për nënshkrim që të jetë e vlefshme.

“Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme”, u shpreh Sorensen, duke shtuar se ky interpretim mbështetet edhe nga ekspertë juridikë në Bruksel dhe Nju Jork.

Edhe pse Konjufca theksoi se Qeveria e Kosovës kishte preferuar që dokumenti të nënshkruhej dhe të merrte formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare klasike, ai pranoi se dokumenti i publikuar nga Bashkimi Evropian përmban angazhime për palët.

Ky qëndrim dallon nga argumenti që Kurti ka përdorur vazhdimisht në debatet e brendshme politike, ku mungesa e nënshkrimit është përmendur si arsye për të vënë në pikëpyetje obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.

Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit përfshijnë dispozita që kanë shkaktuar debat të madh në Kosovë. Neni 7 parasheh një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa neni 10 obligon palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut, përfshirë edhe ato që lidhen me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Deklarata e Konjufcës është parë si një pranim publik se marrëveshja prodhon obligime për Kosovën edhe pa nënshkrim, duke u afruar me interpretimin që prej fillimit ka mbajtur Bashkimi Evropian. Kjo, njëkohësisht, hap debat mbi konsistencën e qëndrimeve që ekzekutivi ka paraqitur deri më tani lidhur me Marrëveshjen e Ohrit./lajmi.net/