Konjufca: Do jem në Hagë në ditën e fundit, askush nuk mundet me na përça për luftën tonë çlirimtare-për UÇK-në jemi bashkë
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk konjufca ka deklaruar se do të jetë në Hagë në ditën përfundimtare të procesit gjyqësorë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai tha se ka bërë tanimë kërkesë që të jetë i pranishëm, raporton lajmi.net. Konjufca deklaroi se aty do të përfaqësojë shtetin e Kosovës. “Prapë do…
Lajme
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk konjufca ka deklaruar se do të jetë në Hagë në ditën përfundimtare të procesit gjyqësorë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai tha se ka bërë tanimë kërkesë që të jetë i pranishëm, raporton lajmi.net.
Konjufca deklaroi se aty do të përfaqësojë shtetin e Kosovës.
“Prapë do të shkojë në Hagë, do jem aty në ditën përfundimtare. Unë pres që ky proces e këto akuza me dështu, janë të paqëndrueshme, janë shpifje janë gënjeshtra që ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht se do të dështojnë besoj se pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm do të dalin të pafajshëm”,deklaroi Konjufca.
Ndërkohë që Konjufca, u shpreh se askush nuk mund ta ndryshojë atë që e quajti të vërtetë historike dhe se për luftën, sipas tij, ekziston unitet i gjerë politik e shoqëror në Kosovë.
Konjufca tha se personalitetet që ishin në krye të luftës, sipas tij, nuk kanë qenë aty për krime dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dhënë dëshmorët e saj, ndërsa populli ka pasur mbi 12 mijë të vrarë, përfshirë fëmijë dhe gra shtatzëna.
“Gjithë ato personalitete që ishin në krye të luftës nuk kane qenë aty për krime, nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie e cila është çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj, e ne jemi një popull i cili i kemi dhënë martirët, kemi dhënë mbi 12 mijë të vrarë, edhe fëmijë, edhe gra shtatzëna. Dhe kjo është e vërteta e historisë tonë. Kushdo që dëshiron me ndryshu këtë të vërtetë, kushdo që mundohet me goditë atë, unë mendoj që do të humbë. Dhe shpresoj e uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, tha ai.
Nënkryetari i VV-së u shpreh gjithashtu se, sipas tij, askush nuk mund ta përçajë shoqërinë kosovare për çështjen e luftës dhe të UÇK-së, duke shtuar se përplasjet politike ndërmjet partive në vite kanë qenë beteja parlamentare dhe jo debate rreth luftës çlirimtare.
Ai tha se populli e ka bërë luftën dhe se figurat që sot ndodhen në Hagë, sipas tij, kanë qenë në krye të një lufte që e konsideron të drejtë.“Unë mendoj që askush nuk mundet me na nda e me na përça për luftën tonë çlirimtare. Për UÇK-në jemi bashkë. Të gjitha ato që kanë ndodhë në skenën politike prej vitit 2010, dikujt edhe më herët, mes LDK-së apo mes PDK-së apo mes Vetëvendosjes edhe me PDK-në, që kanë qenë në kuadër të betejave politike në parlament, grindjet tona, përplasjet tona, unë nuk mendoj që kanë qenë për luftën, për UÇK-në, për vullnetin e popullit tonë për liri. Këto janë të tjera që po i përmendni ju. Këto janë në kuadër të betejave tona të cilat kurrë nuk do të mund me na përça për atë që kemi kalu bashkë, për sakrificat, për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu kërkush nuk mundet me na hy në mes neve. As partive politike, as popullit tonë. Sepse populli e ka bë luftën dhe ato personalitete që i kemi në Hagë, ato kanë qenë në krye të luftës, në krye të luftës, e cila ka qenë një luftë e drejtë”, tha ai.Konjufca shtoi se ka aplikuar për të qenë i pranishëm në Hagë në ditën përfundimtare të procesit dhe se synon ta përfaqësojë shtetin e Kosovës, duke shprehur pritjen se akuzat, sipas tij, janë të paqëndrueshme, shpifje dhe gënjeshtra që, siç u shpreh, e ofendojnë luftën çlirimtare./Lajmi.net/