Konjufca beson se partitë politike s’duan zgjedhje të reja: PDK mbajti qëndrimet e vjetra, LDK tregoi gatishmëri më të lartë për zgjidhje

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për zhvillimet politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe takimet e zhvilluara mes liderëve institucionalë dhe partive politike. Në konferencën e përbashkët me ministrin e deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, Konjufca tha se reagimi i partive opozitare ndaj ftesës së kryeministrit…

Lajme

27/07/2026 10:24

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për zhvillimet politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe takimet e zhvilluara mes liderëve institucionalë dhe partive politike.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, Konjufca tha se reagimi i partive opozitare ndaj ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka qenë më i shpejtë se në proceset e kaluara, duke e cilësuar këtë si një shenjë të një qasjeje tjetër politike.

“Sa i përket të gjitha proceseve që pasuan pas certifikimit të zgjedhjeve, kryeministri Kurti iu drejtua me një letër të gjitha partive që ishin deri dje në opozitë. Ato u përgjigjën më shpejt se herëve të tjera dhe kjo tregon një interesim të një natyre tjetër, krahasuar me herët e kaluara”, tha Konjufca.

Ai vlerësoi se këtë herë ekziston një vullnet më i madh i partive politike për të shmangur shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Më duket që vullneti i partive për të mos shkuar në zgjedhje këtë herë është më i sinqertë”, u shpreh ai.

Konjufca tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka pranuar takimin, por ka dhënë arsyet e saj, ndërsa për takimet me PDK-në dhe LDK-në tha se janë parë qartë qëndrimet e tyre.

“Ajo që kemi parë në takimin me PDK-në janë pozicionet e tyre të vjetra. Ndërsa sa i përket LDK-së, aty ka një vullnet dhe gatishmëri më të lartë për ta kaluar këtë situatë që po kalon Kosova”, deklaroi Konjufca.

Ai kujtoi se pas zgjedhjeve të dhjetorit, sipas tij, situata ishte karakterizuar nga një bllokadë politike.

“Pas zgjedhjeve të dhjetorit ka pasur një bllokadë totale. Partitë donin gjithsesi zgjedhje”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet e brendshme në LDK, Konjufca tha se nuk dëshiron të komentojë apo të këshillojë për proceset e brendshme të partisë, por shtoi se pas takimit mes Kurtit, Osmanit dhe Abdixhikut ka parë një qasje tjetër.

“Ne nuk jemi për t’i komentuar apo këshilluar, sepse LDK di t’i rregullojë punët e veta. Por më është dukur që pas takimit të Kurtit me Osmanin dhe Abdixhikun ka pasur një natyrë tjetër të diskutimit, ku një zgjidhje mund të gjendet shpejt”, u shpreh Konjufca.