Konfiskohen 32 banesa dhe dy shtëpi

Janë 32 banesa, në një objekt në lagjen “Mati”, dhe dy shtëpi banimi në lagjen “Qëndresa” të Prishtinës, që i ka bllokuar Policia e Krimeve Ekonomike dhe Prokuroria. Ato besohet se kompania “Venis-O-Group” i ndërtoi nga mashtrimi që u ka bërë qytetarëve.

Lajme

28/05/2014 09:21

Barin që ishte rritur në oborrin e shtëpisë luksoze në lagjen “Qëndresa” në periferi të Prishtinës, nuk e kishte kositur njeri për kohë të gjatë.

Lulet e mbjella mezi dalloheshin mes barit të rritur.

Pushimoren e punuar nga druri të vendosur në qoshe të oborrit të shtëpisë ka kohë që nuk e ka shfrytëzuar për pushim ndokush, shkruan “Zëri”.

Shtëpia me dy hyrje, ku jetonte Estrida Bunjaku, drejtoreshë ekzekutive e “Venis-O-Group” është “ngrirë” së fundi nga Prokuroria dhe Policia për Krime Ekonomike.

Përveç kësaj shtëpie, që ka shtatë ari truall, policia dhe Prokuroria kanë “ngrirë” edhe paluajtshmëri tjera të Bunjakut – një shtëpi tjetër të ngjashme në lagjen “Qëndresa” në Prishtinë, si dhe një bllok banesor me hiç më pak se 32 banesa, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë.

Kjo ka ndodhur pas arrestimit të Bunjakut dhe dy personave të tjerë që kishin mashtruar njerëz të ndryshëm në emër të kontraktimit të paluajtshmërive, duke përfituar së paku 1.7 milion euro nga mashtrimi i mbi 140 personave, shkruan “Zëri”.