Konfirmon ministrja Tahiri: Arrihet marrëveshja në pako
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se janë çastet e fundit për t’u finalizuar marrëveshja për telekomin, energjinë, lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Lajme
“Sikurse që u bë më dije edhe gjatë orëve të fundit, zhvillimet janë shumë pozitive në këtë raund të bisedimeve dhe pritet të arrihet pakoja e marrëveshjeve për të gjitha çështjet, pra për energjinë, për heqjen e barrikadës, për asociacionin dhe në nivelin politik u arrit marrëveshja për telekomin. Po pritet të jetë edhe takimi final me znj. Mogherini, ku do të rrumbullakohen proceset. Për opinionin është me rëndësi të komunikojmë që marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, pra asociacioni nuk do të ketë kurrfarë kompetencash ekzekutive, barrikada mbi urën Ibër do të hiqet më 15 tetor, pastaj fillon revitalizimi, hapet ura për automjete dhe këmbësorë. Për telekomin Kosova e kam marrë kodin ndërkombëtar shtetëror telefonik 383 dhe për çështjet e energjisë Serbia ka pranuar t’i heqë pengesat që i ka krijuar deri më tash dhe zbatimi do të shkojë sipas planit. Janë çastet e fundit në nivelin e kryeministrave dhe Mogherinit të finalizohet pakoja e marrëveshjeve”, ka thënë Tahiri për “Epokën e re”.