Konfirmohet: Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili udhëhoqi NATO-n gjatë luftës në Kosovë, është konfirmuar zyrtarisht si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Clark ka drejtuar fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe që kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve, duke luajtur një rol kyç në largimin e…

Lajme

24/10/2025 11:28

Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark, i cili udhëhoqi NATO-n gjatë luftës në Kosovë, është konfirmuar zyrtarisht si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Clark ka drejtuar fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe që kryenin gjenocid ndaj shqiptarëve, duke luajtur një rol kyç në largimin e regjimit të Beogradit nga Kosova. Për këtë arsye, dëshmia e tij konsiderohet mjaft e rëndësishme dhe pritet të sfidojë fuqishëm akuzat e Prokurorisë së Hagës për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, transmeton lajmi.net.

Ekspertët e mbrojtjes theksojnë se nëse UÇK-ja do të cilësohej si organizatë kriminale, atëherë edhe NATO – e cila bashkëpunoi ngushtë me të gjatë operacioneve ushtarake – do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”. Clark pritet të shpjegojë para gjykatës se UÇK-ja ishte partner i NATO-s në një luftë të drejtë për çlirim kombëtar.

Ish-komandanti amerikan është dëshmitari i pestë i mbrojtjes që paraqitet në këtë gjyq. Para tij kanë dëshmuar: ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit gjatë luftës, James Rubin; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje; John Duncan, ish-këshilltar i Clark; dhe Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës në periudhën 1999–2001.

Dëshmitarët e mbrojtjes do të vazhdojnë të dëgjohen deri nga mesi i nëntorit, me mundësi që kjo periudhë të zgjasë deri në fund të muajit. Pas përfundimit të dëshmive, palët do të kenë afat deri në dhjetor për të dorëzuar fjalët përfundimtare me shkrim, ndërsa vendimi final i Panelit të Gjyqtarëve pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në paraburgimin e Hagës ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi./lajmi.net/