Konfirmohet turbekulozi te lopët në një fermë në Viti
Në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë, është konfirmuar prania e sëmundjeve infektive te kafshët, konkretisht te lopët, që janë bruceloza dhe tuberkulozi. Fermeri Xhevxhet Ferizi, në një deklaratë për Radio Kosovën bëri të ditur se 12 krerë lopë, do të asgjësohen si pasojë e këtyre sëmundjeve, ndërsa disa të tjera, tashmë kanë ngordhur. Rasti…
Lajme
Në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë, është konfirmuar prania e sëmundjeve infektive te kafshët, konkretisht te lopët, që janë bruceloza dhe tuberkulozi.
Fermeri Xhevxhet Ferizi, në një deklaratë për Radio Kosovën bëri të ditur se 12 krerë lopë, do të asgjësohen si pasojë e këtyre sëmundjeve, ndërsa disa të tjera, tashmë kanë ngordhur.
Rasti i parë i tuberkulozit te lopët është konfirmuar më 3 mars 2026 në fermën e Xhevxhet Ferizit, fermer në fshatin Lubishtë të Komunës së Vitisë.
Ferizi thotë se dëmet janë të mëdha dhe se biznesi i tyre familjar është goditur rëndë. Ai sqaron se fillimisht, ka dyshuar për sëmundjen pasi lopët kanë abortuar viçat, ndërsa diagnoza është konfirmuar me ndihmën e veterinerit.
“Afër 60 krerë lopë i kam nga të cilat, 12 kanë dalë të sëmura. Nuk kam pajisje që vetë të kujdesem për to. Më kanë thënë të mos t’i lëshoj ne kullota. Edhe pse nuk kam ushqim për kafshë,sepse ushqimi është shtrenjtuar”, ka thënë Ferizi.
Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Nerxhivane Ferizi, thotë se familja e saj ka jetuar kryesisht nga puna në këtë fermë dhe tani përballet me humbje të mëdha, duke shpresuar në mbështetje nga institucionet.
“Normalisht, është humbje e madhe. Ne prej fermës jetojmë. E kemi biznes familjar. Jemi të brengosur shumë por shpresojmë që do të na ndihmojë qeveria”.
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Sadik Sadikheta, ka konfirmuar për Radio Kosovën se në Komunën e Vitisë, janë identifikuar disa ferma me raste të brucelozës dhe tuberkulozit te gjedhët, përkatësisht lopët qumështore.
“Qëllimi i asgjësimit është ç’rrënjosja e sëmundjes dhe kompensimi i dëmit që u është shkaktuar. Ne si autoritet, fermerëve u kemi dhënë të gjitha këshillat dhe rekomandimet se si të veprojnë në këtë situatë”, ka thënë Sadikheta.
Sadikheta u ka bërë thirrje fermerëve që të mos krijojnë panik, duke theksuar se sipas dispozitave ligjore, kafshët e infektuara do të asgjësohen me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, duke shtuar se “fermerët e prekur do të kompensohen për dëmet e shkaktuara”.
Sipas legjislacionit në fuqi, asgjësimi i kafshëve të infektuara duhet të bëhet brenda një afati 30 ditësh nga konfirmimi i sëmundjes. Bruceloza është sëmundje ngjitëse që transmetohet përmes konsumimit të qumështit të papasterizuar, mishit të papjekur, apo kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara dhe sekrecionet e tyre.