​Konferenca ndërkomunale, këto janë sfidat e komunave të rajonit të Prishtinës për arsimin

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka organizuar sot konferencën e parë ndërkomunale për arsimin në rajonin e Prishtinës, ku komuna e Obiliqit, Lipjanit dhe Fushë Kosovës kanë treguar sfidat e tyre në sektorin e arsimit. Ndër sfidat kryesore ishin rritja e popullsisë në komunën e Fushë Kosovës dhe ndërtimi i shkollave. Ndërsa në komunën e…

Lajme

17/07/2025 12:25

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka organizuar sot konferencën e parë ndërkomunale për arsimin në rajonin e Prishtinës, ku komuna e Obiliqit, Lipjanit dhe Fushë Kosovës kanë treguar sfidat e tyre në sektorin e arsimit.

Ndër sfidat kryesore ishin rritja e popullsisë në komunën e Fushë Kosovës dhe ndërtimi i shkollave. Ndërsa në komunën e Lipjanit sfidë kryesore ishte ulja e numrit të nxënësve në fshatra, e shtimi i tyre në shkollat e qytetit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se në kryeqytet sfidë ka qenë mësimitërditorë e kurrikula digjitale, e digjitalizimi i klasave ku deri me tani janë 400 tabela digjitale prej 600 klasave të cilat deri në fund të vitit do të furnizohen.

Rama tha se kjo konferencë është për të bashkuar të gjithë rajonin e për të shkëmbyer idetë e proceset që kanë ndërmarrë komunat veç e veç.

“Kemi marrë disa procese të cilat kanë qenë paksa sfiduese por janë mëse të nevojshme në zhvillimin e arsimit në kryeqytet. Mesimitërëditorë i cili kemi filluar me pesë shkolla ka pasur impakt pozitiv edhe për fëmijët dhe ngritjen e nivelit. Me elemente ekstra kurrikulare si arti sporti shprehka publike e drama teatri elemente të tjera kreative që sot janë në aspektet e industrisë kreative. Ne digjitalizimin e klasave qe tre vite janë digjitalizua kurrikulat dhe idea është që të mos varemi shumë prej mësuesve e profesorëve individual. Kemi investuar edhe në tabela smart kemi 400 prej 600 klasave deri në fund të vitit do ti kemi të gjitha. Prishtina është në pozitë më të mirë sesa komunat tjera mirëpo ideja e masterplanit tonë për Prishtinë e kemi zgjeruar e cila përmbledhë edhe komunat përreth”, tha Rama.

Ndërsa, kryetari i komunës se Obliqit, Xhafer Gashi tha se kanë arritur të pajisen me mjete për mbarëvajtjen e mësimit duke krijuar edhe një pishinë gjysmë olimipke për nxënësit.

“Ne kemi bashkëpunim në sfera të ndryshme ndërkomunale. Do të nxjerr edhe sfida të ndryshme por edhe bashkëpunime që janë të domosdoshme. Të njëjta janë të gjitha sfidat në komuna e shkolla, ne kemi pasur fokus të veçantë arsimin dhe cilësinë e arsimit… Kemi arritur që shkollat të pajisjen dhe të jenë të përgatitura për mbarëvajtjen e mësimit. Kemi krijuar një pishine gjysmë olimpike për nxënësit e tonë”, tha Gashi.

E nënkryetari i komunës se Fushë Kosovës, Besnik Osmani theksoi se një nga sfidat kryesore është numri i shtuar i nxënësve rreth 400-500 nxënës e të cilët po shtohen vazhdimisht, duke theksuar se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare, duke u munguar 150 norma.

Sfidë tjetër, ai tha se janë edhe hapësirat për të ndërtuar shkollat.

“Sa i përket Fushë Kosovës, jemi tash shumë më specifik për arsye të rritjes së popullsisë. Ne përafërsisht kemi 400-500 nxënës e po shtohen, kjo është një prej sfidave kryesore që ne ballafaqohemi.Po kemi një paradoks ligjor komunat janë të obliguara të sigurojnë mësimin dhe që duhet të jenë të garantuara dhe në anën tjetër nuk merr kapacitete të mjaftueshme financiare”, theksoi Osmani.

Ndërsa, nënkryetari i Lipjanit, Diamant Bytyqi shtoi se imigrimi brenda komunal nga fshatrat në qytete ka rritur numrin e nxënësve në qytet por ka zvogëluar numrin në fshatra.

Qëllimi i kësaj konference ishte ndërtimi i një platforme të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet komunave të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Lipjanit për të adresuar sfidat dhe mundësitë e arsimit parauniversitar në mënyrë të bashkërenduar.