Komunat serbe me deklaratë 6 pikëshe, kërkojnë dialog për arsimin e shëndetësinë dhe Asociacionin
Përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në Kosovë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët ku janë shprehur disa kërkesa. Një nga kërkesat e tyre, është që serbëve që jetojnë në Kosovë, ”tu mundësohet që të kenë lehtësira juridike, administrative, si dhe, të tjera në procedurat siç janë pajisjet me dokumente personale’’. Nga ta thuhet edhe…
Lajme
Përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe në Kosovë, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët ku janë shprehur disa kërkesa. Një nga kërkesat e tyre, është që serbëve që jetojnë në Kosovë, ”tu mundësohet që të kenë lehtësira juridike, administrative, si dhe, të tjera në procedurat siç janë pajisjet me dokumente personale’’.
Nga ta thuhet edhe se, refuzimi i vazhdueshëm për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, siç kanë deklaruar ata, ‘’janë dëshmi se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më aktivisht në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb’’.
Në deklaratë thuhet edhe se, e njëjta shpreh qëndrimin unik të përfaqësuesve politikë, si dhe, përbën një thirrje për siguri juridike, dialog dhe respekt të plotë të të drejtave të serbëve.
Pos këtyre, në deklaratën e miratuar, përfaqësuesit serbë, Kosovës i referohen si ‘’ Kosovë dhe Metohi’’.
Deklarimi i plotë:
Ne, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të popullit serb,
duke pasur parasysh kushtet e padurueshme të jetesës që na janë imponuar, të cilat rrezikojnë vetë mbijetesën e popullit serb në këto hapësira, në takimin e mbajtur më 12 shkurt 2026,
Duke u nisur nga parimet universale të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe qytetare, duke pasur parasysh detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, marrëveshjet politike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të arritura në Bruksel, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe aktet e tjera juridike në fuqi,
thellësisht të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë historike për ruajtjen e sigurisë juridike, lirisë së lëvizjes dhe jetës dinjitoze të të gjithë qytetarëve,
dhe duke pasur parasysh situatën politike dhe të sigurisë, pozitën e popullit serb dhe pasojat e mundshme për mbijetesën tonë në trojet tona shekullore,
në mbledhjen e përbashkët ku morën pjesë këshilltarët e dhjetë kuvendeve komunale me shumicë serbe, kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe, përfaqësues të sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe deputetë të zgjedhur të popullit serb, me shumicë votash / njëzëri, miratojmë këtë
DEKLARATË
1.Kërkojmë që të gjithë qytetarëve tanë që jetojnë në këto hapësira t’u mundësohen lehtësira të përshtatshme juridike, administrative dhe të tjera në procedurat për pajisje me dokumente personale, me qëllim që të sigurohet ushtrimi i papenguar i të drejtave të tyre themelore njerëzore dhe qytetare si qytetarë të barabartë. Ligjet ekzistuese janë absolutisht në kundërshtim me interesat e popullit tonë dhe duhet të ndryshohen.
Njëkohësisht, kërkojmë që punonjësve dhe studentëve që vijnë për të punuar dhe studiuar në kuadër të sistemit arsimor dhe shëndetësor në këto hapësira t’u mundësohet hyrje dhe qëndrim i papenguar gjatë kohëzgjatjes së procesit të punës dhe studimit, gjë që vërtetohet me dokumente përkatëse të lëshuara nga institucionet kompetente arsimore dhe shëndetësore.
2. Kërkojmë që të gjithë qytetarëve t’u garantohet e drejta për gëzimin e qetë dhe të papenguar të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe e drejta për përdorimin e automjeteve, me zbatimin e lehtësirave të përshtatshme juridike dhe të tjera, pa diskriminim dhe pasiguri juridike për të gjithë ata që jetojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë.
3. Refuzojmë dhe dënojmë me vendosmëri çdo veprim apo aktivitet që do të mund të rrezikonte funksionimin dhe ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të popullit serb. Konsiderojmë se të gjitha çështjet e hapura lidhur me pozitën e këtyre institucioneve duhet të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përmes themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe se i kundërshtohemi absolutisht veprimeve të dhunshme, të njëanshme dhe çdo veprimi tjetër që do të rrezikonte funksionimin e këtyre dy sektorëve.
4. Insistojmë që për zbatimin e masave nga pikat 1 dhe 2 të kësaj deklarate të sigurohet një afat i arsyeshëm dhe i mjaftueshëm, i cili do t’u mundësojë qytetarëve të përshtaten me rrethanat e reja juridike pa rrezikuar ekzistencën e tyre dhe nevojat themelore jetësore.
5. Përshëndesim përpjekjet e fuqishme dhe të vazhdueshme të vendeve të Quint-it për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të drejtë për problemet e krijuara. Populli serb dhe ne, përfaqësuesit e tij politikë në Kosovë, mbetemi të përkushtuar ndaj një qasjeje konstruktive. Jemi të gatshëm që, përmes përfaqësuesve tanë politikë të zgjedhur legjitimisht, të vazhdojmë të kontribuojmë në dialog dhe stabilitet.
6. Refuzimi i vazhdueshëm për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe shkelja e vazhdueshme e marrëveshjeve të Brukselit dhe akteve juridike në fuqi në këto hapësira janë dëshmi se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më aktivisht në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb, pasi është e qartë se mekanizmat ekzistues në sistemin e Kosovës nuk janë të mjaftueshëm.
Kjo deklaratë shpreh qëndrimin unik të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të popullit serb dhe përbën një thirrje për siguri juridike, dialog dhe respekt të plotë të të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi.
Dëshirojmë t’i theksojmë bashkësisë ndërkombëtare, si dhe zyrtarëve të Kosovës, se veprimet e njëanshme kundër institucioneve arsimore dhe shëndetësore jashtë procesit të negociatave në Bruksel dhe Asociacionit, zbatimi i ligjit për të huajt dhe ligjeve që kanë të bëjnë me automjetet pa përshtatje adekuate me realitetin në terren, lehtësitë juridike dhe të tjera, do të përbënin spastrim administrativ etnik të popullit serb nga këto hapësira ku populli ynë jeton prej shekujsh. Do të rrezikoheshin të drejtat themelore të njeriut, para së gjithash e drejta për jetë, shërim, arsimim, strehim, gëzim të lirë të pronës… mijëra familje serbe do të rrezikoheshin, fëmijë të ndarë nga nënat dhe baballarët, pacientë nga mjekët e tyre, ndërsa nxënës dhe studentë pa arsimim adekuat. Kishat dhe manastiret tona do të mbeteshin pa murgj dhe priftërinj, por edhe pa besimtarë. Fshatrat dhe komunat do të zbrazeshin, ndërsa karakteri multietnik i shoqërisë në këto hapësira do të mbetej vetëm në letër, pa asnjë bazë reale dhe do të përbënte një humbje për bashkësinë ndërkombëtare.