Komunat paralajmërojnë protesta, thonë se kontrata kolektive po ua zbraz buxhetet
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim dhe revoltë të komunave, lidhur me barrën financiare që po shkaktohet nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë, e që vlerësojnë se është e papërballueshme. Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë kërkuar urgjentisht zgjidhje institucionale për…
Lajme
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim dhe revoltë të komunave, lidhur me barrën financiare që po shkaktohet nga kontrata kolektive dhe vendimet gjyqësore që burojnë nga kjo kontratë, e që vlerësojnë se është e papërballueshme.
Kryetari i këtij Asociacioni, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë kërkuar urgjentisht zgjidhje institucionale për këtë problem.
Sipas tij, kjo situatë po e rrezikon seriozisht stabilitetin financiar të pushtetit lokal dhe po dëmton drejtpërdrejt investimet dhe shërbimet për qytetarët.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shterur pothuajse të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
AKK e ka dërguar çështjen e kontratës kolektive në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo Gjykata ka vlerësuar se nuk është kompetente për ta trajtuar këtë çështje” deklaroi Ibrahimi.
Ai bën me dije se mbi 26 komuna kanë iniciuar procedura gjyqësore në Gjykatat Themelore, lëndë që më pas janë bartur në Gjykatën Komerciale
Ibrahimi pohon se, përkundër përpjekjeve dhe takimeve me krerë shtetërorë, deri më sot nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete për komunat.
“Dëmet financiare vazhdojnë të rriten alarmueshëm. Vetëm në periudhën 2022–2026, komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimeve, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të vitit 2026 mbi 55 milionë euro.
Këto mjete janë larguar drejtpërdrejt nga investimet kapitale, infrastruktura lokale dhe shërbimet për qytetarët” shtoi ai.
Ibrahimi madje ka paralajmëruar edhe protesta, nëse institucionet nuk ofrojnë zgjidhje.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon urgjentisht ndërhyrje institucionale dhe politike për zgjidhjen e problemit, krijimin e një mekanizmi kompensues për komunat, ndalimin e dëmtimit të mëtejmë të buxheteve komunale dhe trajtim të drejtë për pushtetin lokal, i cili po bart pasoja financiare për vendime që nuk janë marrë nga komunat” përfundoi Ibrahimi.