Komuna e Prizrenit nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 400 mijë eurove me MIT-në

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 400 mijë eurove me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Lajme

19/03/2019 11:51

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, sot është takuar me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, më të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projekteve  të reja infrastrukturore lokale në këtë komunë, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, komuna e Prizrenit me anë të kësaj marrëveshje me MIT-në, përfiton 400 mijë euro për vitin 2019.

Lekaj dhe Haskuka nënshkruan edhe aneksin e memorandumit paraprak për financim të projekteve që veçse janë duke u zhvilluar në Prizren.  MIT-ja merr përsipër financimin e asfaltimit të rrugës Lubizhdë – Skrobizhdë, ku për këtë vit janë ndarë mjetet prej 50,000 euro dhe asfaltimin e rrugës Prizren – Velezhë, në vlerë prej 50,000 euro.

Ministri Lekaj kërkoi nga kryetari Haskuka që realizimi i projekteve të financuara nga dikasteri që ai drejton, të bëhet me cilësi dhe sipas afateve kohore të parapara. Ai i premtoi kryetarit se mbështetja nga niveli qendror i qeverisjes, pa dallim bindjesh, nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

I pari i MIT-së e njoftoi kryetarin e Prizrenit se për këto projekte janë të parapara edhe mjetet buxhetore për vitet që pasojnë deri në realizimin final të tyre. Ndërkaq e informoi të parin e kësaj komune se shumë shpejt do të fillojnë investimet edhe në hyrjen e Prizrenit nga ana e Gjakovës, projekt ky që financohet nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryetari i Prizrenit e falënderoi ministrin për këtë mbështetje, duke u zotuar se projektet e financuara nga MIT-ja do të realizohen në afatet e parapara. Ai shtoi se mbështetja për komunën që ai drejton, nënkupton mbështetje direkte për qytetarët, të cilëve po u kthehen taksat nëpërmjet investimeve në infrastrukturë.​ /Lajmi.net/