Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për reshje të vazhdueshme dhe rrezik nga përmbytjet

Komuna e Prishtinës ka lëshuar paralajmërim për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe parashikimeve për vazhdim të tyre edhe në ditët në vijim. Sipas informatave zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Kryeqytetit janë regjistruar mbi 25 mm/m² reshje shiu. Autoritetet bëjnë të ditur se reshjet…

Lajme

06/01/2026 10:22

Komuna e Prishtinës ka lëshuar paralajmërim për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe parashikimeve për vazhdim të tyre edhe në ditët në vijim.

Sipas informatave zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Kryeqytetit janë regjistruar mbi 25 mm/m² reshje shiu. Autoritetet bëjnë të ditur se reshjet pritet të vazhdojnë me intervale dhe intensitet të ndryshëm, duke rritur rrezikun për probleme në disa zona.

Komuna njofton se këto kushte atmosferike mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të sistemeve të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime, si dhe rrezik të shtuar për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme.

Në këtë kuadër, u bëhet apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin kalimin nëpër nënkalime apo rrugë të përmbytura dhe të raportojnë me kohë çdo problem që paraqet rrezik për sigurinë publike.

Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gjendje gatishmërie të shtuar për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje sipas nevojës, ndërsa qytetarët ftohen të ndjekin njoftimet zyrtare për informata të mëtejme. /Lajmi.net/