Komuna e Prishtinës nis vendosjen e pritoreve të reja të autobusëve, premton zgjerim edhe në lokacione të tjera

Drejtoria e Mobilitetit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se po vazhdon vendosja e stacioneve të reja me pritore në kryeqytet, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës së transportit publik. Përmes një postimi në Facebook, kjo drejtori ka theksuar se investimet në transportin publik mbeten ndër prioritetet kryesore të saj, me qëllim të përmirësimit të…

Lajme

01/07/2026 17:53

Drejtoria e Mobilitetit në Komunën e Prishtinës ka njoftuar se po vazhdon vendosja e stacioneve të reja me pritore në kryeqytet, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës së transportit publik.

Përmes një postimi në Facebook, kjo drejtori ka theksuar se investimet në transportin publik mbeten ndër prioritetet kryesore të saj, me qëllim të përmirësimit të kushteve për qytetarët.

“Përmirësimi i infrastrukturës së transportit publik mbetet një nga prioritetet tona. Vendosja e pritoreve të reja u mundëson qytetarëve kushte më të mira dhe më të sigurta gjatë pritjes së autobusëve, duke e bërë transportin publik më të qasshëm dhe më funksional”, thuhet në njoftim.

Drejtoria e Mobilitetit ka bërë të ditur se procesi i vendosjes së pritoreve do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

“Do të vazhdojmë me vendosjen e pritoreve edhe në lokacione të tjera, bazuar në nevojat e qytetarëve dhe zgjerimin e rrjetit të transportit publik”, thuhet më tej në postimin e publikuar në Facebook.

Autoritetet komunale nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të pritoreve të reja që janë vendosur deri më tani, por kanë theksuar se investimet në infrastrukturën e transportit publik do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.