Komuna e Prishtinës ndihmon edhe artistët, ndan 170 mijë euro për projektet e kulturës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë një lajm të mirë për artistët.

ShowBiz

01/12/2020 17:40

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është marrë vendim për ndarjen e 170 mijë eurove për projektet e kulturës, shkruan lajmi.net.

Ai tha se gjatë pandemisë një kategori që pësoi ishin edhe artistët, duke qenë se kanë munguar shfaqjet, ekspozitat e koncertet.

Ahmeti po ashtu shtoi se gjatë ditëve të ardhshme do të hapet një thirrje për artistë të fushave të ndryshme të Komunës së Prishtinës, të cilët nuk kanë asnjë të hyrë, e që do të ndihmohen me ndarjen e një subvencioni për atë kategori.

KY ËSHTË POSTIMI I PLOTË I AHMETIT, PA NDËRHYRJE:

“Sot është marr vendimi për ndarjen e 170 mijë eurove për projekte të kulturës. Në këtë kohë pandemie edhe projektet e kulturës, apo më mirë me thënë artistët kanë pësuar nga mungesa e mundësive, shfaqjeve, ekspozitave e koncerteve. Prandaj ndihma për projekte është e domosdoshme.

Gjatë ditëve të ardhshme do të hapet edhe një thirrje për artistë të fushave të ndryshme të Komunës së Prishtinës të cilët nuk kanë asnjë të hyrë dhe të cilët janë goditur nga kriza e pandemisë. Për të gjithë ata që i përmbushin kushtet, Komuna do të ndajë nga një subvencion. Vlera e subvencionit do të varet nga numri i aplikantëve që kalojnë kriteret. Të gjitha detajet do të jenë të ditura ditëve në vijim.

Artistët janë kategoria e radhës që gjen mbështetje te komuna. Politikat tona gjatë pandemisë po mundohen që të përfshijnë të gjitha kategoritë. E kuptojmë se shumat mund të mos jenë të mëdha por po mundohemi që krejt çka kemi ti japim për qytetarët tonë pa përjashtime.

Bashkë do të ja dalim edhe kësaj sfide!”. /Lajmi.net/