Trafiku urban ‘mollë sherri’ për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Financave
Riorganizimi i trafikut urban të Prishtinës si dhe pajisja e saj me autobus të rinj ende do të mbetet vetëm projekt në letër. E krejt kjo pasi Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Financave vazhdimisht akuzojnë njëra tjetrën për zvarritje të këtij procesi.

Lajme
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ofruar 25 mijë euro për Komunën e Prishtinës për të investuar në ristrukturimin dhe blerjen e autobusëve të rinj.
Por, për realizimin e këtij projekti thuhet se nevojitet nënshkrimi nga Ministria e Financave, për të dhënë garancionin e sovranitetit.
Por kjo e fundit thotë se më 16 shtator të 2015-ës ekipi negociator ka kërkuar nga Komuna dhe NP Trafiku Urban të autorizojë drejtorin e ndërmarrjes për nënshkrimin e kredisë, por se deri më tani ata thonë se Ministria nuk ka pranuar dëshmi për një autorizim të tillë.
“Ministri i Financave pas parashtrimit të kërkesës nga Trafiku Urban dhe Komuna e Prishtinës në Prill të vitit 2015, ka filluar procedurat për shqyrtimin e kërkesës në bazë të Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare dhe Ligjit për Borxhet Publike. Në afat rekord Ministri ka themeluar ekipin për negocimin e kredisë dhe është dakorduar me Komunën dhe BERZH-in për kredinë dhe garancinë”, tha për lajmi.net, Muharrehm Shahini nga divizioni për komunikim publik i MF-së.
Gjithashtu, Shahini tha se gjatë kohës së planifikimit të buxhetit 2016 me vlerësimet për 2017 dhe 2018, Komuna nuk ka përfshirë një zë buxhetor i cili do të shërbente në rast të dështimit të ri-pagesës së kredisë dhe as nuk ka kaluar në asamblenë Komunale një zotim se do të garantoj kredinë e ndërmarrjes së saj.
Por ndryshe shprehet Komuna e Prishtinës, duke thënë se në takimin e shtatorit , Bordi i BERZH-it, i ka aprovuar në tërësi kushtet e kredisë dhe kushtet që i ka kërkuar MF-ja për të dhënë garancinonin e sovranitetit, nënshkrim që sipas tyre, ende mungon nga MF-ja.
“Përderisa Komuna e Prishtinës është në pritje të nënshkrimit të garancionit, për çfarë nuk ka pasur asnjë pengesë, ne kemi filluar procesin e tenderimit ndërkombëtar për blerjen e 51 autobusëve. Procesi i tenderimit ndërkombëtar ka përfunduar, kurse raporti i është dërguar BERZH-it. Dhe tani qe kane përfunduar te gjitha procedurat, prej tetorit 2015, blerja e autobusëve varet kryekëput nga nënshkrimi i MEF-it”, tha për lajmi.net zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu.
Sipas Mullafazliut, në momentin që ministria e nënshkruan garancionin e sovraniteti, BERZH-i e jep dritën e gjelbër për raport të vlerësimit dhe shpallet fituesi.
“Pas shpalljes së fituesit, deri te ardhja e autobusëve nevojiten 90 deri 120 ditë. Për këtë arsye është thënë në tetor se në janar 2016 do të vijnë autobusët e rinj dhe do të ndodhë riorganizimi i trafikut urban në kryeqytet”, tha ajo ndër tjerash.
Ministria e Financave pranon se duke parë që ka ngecje në këtë proces, Ministri Avdullah Hoti ka ftuar Kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti, në takim për të mundësuar zhbllokim të proceseve posaçërisht pas njoftimit nga BERZH-i se procedurat e prokurimit kanë avancuar përkundër faktit se kredia nuk është nënshkruar ende.
“Në takim janë pajtuar se do të bëjnë përpjekje për shkëmbimin e autorizimit të drejtorit të NP Trafiku Urban dhe hapat e mëtutjeshëm për zgjedhjen e çështjeve të hapura”, tha Shahini.
Përndryshe përveç një nënshkrimi për të cilin të dyja palët janë duke akuzuar njëra tjetrën, kjo marrëveshje sikurse marrëveshjet tjera financiare duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit që katër muaj e ka të pamundur të vazhdojë punën për shkak se Opozita nuk po e lejon vazhdimin e punës së Kuvendit të Kosovës.
Një situatë e tillë do të zvarriste edhe më tej procesin e kredisë për trafikun urban, kur dihet se opozita vazhdon të kundërshtojë mbajtjen e seancave deri në largimin e Qeverisë aktuale./Lajmi.net