Komuna e Mytaher Haskukës shpall fituese kompaninë që ia përshtati tenderin

Komuna e Prizrenit, e cila udhëhiqet nga kryetari, Mytaher Haskuka, e ka kurdisur një tender për një kompani të caktuar.

Lajme

25/06/2021 20:14

Prokurimi i Prizrenit ka shpallur fituesin e tenderit “Furnizim me pajisje medicinale për nevojat e shërbimeve shëndetësore të QKMF-së,QMF-ve dhe AMF-ve”. Për kontratë është rekomanduar kompania nga Prizreni “Konti” SHPK.

Gjatë kohës së ofertimit, kur akoma nuk ishin hapur ofertat dhe nuk dihej se cilat kompani kanë garuar, lajmi.net kishte raportuar se Komuna kishte vendosur specifika teknike në këtë tender,  të cilat nuk ishin në harmoni me Ligjin e Prokurimit Publik, specifika të cilat i ishin përshtatur vetëm kompanisë “Konti”.

Konkretisht lajmi.net kishte gjetur se disa prej kritereve i janë përshtatur prodhuesve të caktuar për të cilët është e autorizuar në Kosovë vetëm kompania nga Prizreni “Konti”.

Pos që tenderi i është dhënë një kompanie që i janë përshtatur kriteret, duke mos lënë hapësirë të madhe për ofertim për kompanitë tjera, Komuna ka bërë edhe një tjetër shkelje të madhe. Në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka qenë një ankesë aktive, e cila po pret që të shqyrtohet nga Bordi i OSHP-së, institucion ky që aktualisht është pa bord drejtues.

Për shkak të kritereve favorizuese vetëm dy kompani kanë ofertuar për këtë tender.

Më 22 qershor, komuna e Prizrenit ka bërë njoftim për “Letër standarde për tenderues të suksesshëm”, ku fitues është shpallur kompania “Konti”, e cila ka pasur çmim 59950,00 euro. Më e lirë se kjo kompani ka qenë oferta e konzorciumit “Pro Medical” SH.P.K  “Adnan A. Bala B.I”  me çmim 43760,00 euro. Por, grup i kompanive është refuzuar kryesisht me arsyetimin se i mungojnë specifikave teknike në KATALOGJET për pajisjet medicinale ku ofertuesi është i obliguar t’i nënvizojë specifikimet teknike për çdo pajisje të ofruar duke u bazuar në specifikimet teknike të ofruara nga Autoriteti Kontraktues. Kompania është shpallur e papërgjegjshme kryesisht në pikat ku komuna ka vendosur kritere diskriminuese, të cilat nuk ka mundur t’i përmbushë askush, pos kompanisë “Konti”.

Nga ana tjetër, shumë dyshuese është edhe vendosja e çmimit të kompanisë fituese, sepse çmimi i saj është shumë afër vlerës së parashikuar të kontratës. Kjo pasi në ‘njoftimin për kontratë’ vlerën e parashikuar ka qenë 60 mijë euro, kurse kompania fituese është më e lirë vetëm për 50 euro se sa vlera e parashikuar.

Ky indikator jep sinjale që operatori ekonomik fitues mund të jetë në dijeni për nivelin e punëve që do kryhen dhe sidomos kur kompanitë që kanë ofertuar me çmim më të lirë nuk janë përzgjedhur fituese të tenderit.

Kompania “Konti” është duke fituar të gjithë tenderët e kësaj natyre në Komunën e Prizrenit.

Por, para se të shpallej fituesi, menjëherë pas njoftimit të komunës për pjesëmarrje në këtë procedurë tenderuese, më datë 15 mars, kompania “Pro Medical”, ka bërë kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Prizrenit, ku ka kërkuar që të bëhet korrigjimi i dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, pasi ka konsideruar që disa specifikave teknike janë të kundërligjshme – diskriminuese ose favorizuese të cilat nuk kanë lejuar konkurrencë.

Komuna ka hedhur poshtë këtë ankesë dhe ka lënë në fuqi vendimin e vet. Kompania ankuese nuk është pajtuar më këtë dhe më datën 22 mars 2021, është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. OSHP-ja e cila në atë kohë ishte me bord, e kishte autorizuar ekspertin e vetë që të shoshitë pretendimet.

Lajmi.net ka siguruar një kopje të raportit të ekspertit shqyrtues. Në raportin të cilin eksperti Kreshnik Spahiu e ka përfunduar më datë 8 maj, janë evidentuar shkelje nga ana e Komunës, ku është konstatuar se janë vendosur kritere që favorizojnë prodhues të caktuar. “Eksperti shqyrtues i propozon Panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të obligohet AK që të mënjanoj specifikimet diskriminuese teknike dhe të bëhet zgjatja e aftit për dorëzimin e ofertave konform dispozitave të LPP-së.

Komuna nuk ka dashur të përgjigjet lidhur më atë se pse nuk e ka zbatuar vendimin e ekspertit shqyrtues dhe se si ka ndodhur që ka shpallur fituesin ende pa u gjykuar tenderi nga ana e Bordit të OSHP-së. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/

Më poshtë mund të shihni raportin e ekspertit të OSHP-së lidhur më këtë tender:

 

Komuna e Prizrenit shkel ligjin, ia përshtat tenderin vetëm një kompanie