Komuna e Malishevës u bën apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme për shkak të reshjeve të dendura

Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente në Komunën e Malishevës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme, si pasojë e gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të ditëve të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, shumë rrugë në territorin e komunës janë bllokuar nga uji për shkak…

Lajme

06/01/2026 09:34

Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente në Komunën e Malishevës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme, si pasojë e gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të ditëve të fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, shumë rrugë në territorin e komunës janë bllokuar nga uji për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

“Lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative,” thuhet në apelin e Shtabit Emergjent.

Nga Komuna e Malishevës bëhet e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë në terren dhe po angazhohen intensivisht për menaxhimin e situatës, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të mundshme.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse deri në stabilizimin e gjendjes. /Lajmi.net/