Komuna e Klinës gjatë vitit 2018 lidhi 21 kontrata për punë shtesë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Klinës gjatë vitit 2018 kishte lidhur 21 kontrata për punë shtesë, nga 57 kontrata sa kishte lidhur gjatë gjithë vitit. Punët shtesë janë arsyetuar nga menaxheri i kontratës dhe lejohen edhe me ligj, megjithatë sipas auditorit vërehet se kjo ishte bërë dukuri e shpeshtë gjatë vitit 2018. Shuma totale e aneks-kontratave për punë shtesë kishte arritur në 216 mijë e 842 euro.

Lajme

30/05/2019 09:18

Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Klinës. Sipas auditorit, Komuna gjatë vitit 2018 kishte lidhur 21 aneks-kontrata për punë shtesë (kontrata për punë në total ishin 57) në vlerë prej 216.842 eurove. Në raportin e ZKA-së thuhet se aneks-kontratat kryesisht ishin për asfaltimin e rrugëve, për ndërtimin e kanalizimit dhe për renovimin e objekteve të ndryshme. Punët shtesë janë arsyetuar nga menaxheri i kontratës e nga ZKA-ja dhe lejohen edhe me ligj, megjithatë sipas auditorit vërehet se kjo ishte bërë dukuri e shpeshtë gjatë vitit 2018 dhe kryesisht ishin për shkak të planifikimit dhe menaxhimit jo të mirë të projekteve kapitale.

Sipas zyrtarëve të Komunës, arsyet e numrit të lartë të aneks-kontratave janë: kërkesat e banorëve për zgjatjen e rrugëve dhe asfaltimin e segmenteve të reja, për zgjatjen e rrjetit të kanalizimit, për shkak të punëve të paplanifikuara dhe pengesat lidhur me problemet pronësore. “Ne kemi bërë ekzaminim fizik për punët shtesë në kontratën ‘Asfaltimi i rrugës në Ujmir’, prej 7.218 eurove dhe kemi vërejtur se ishte asfaltuar një segment i ri i cili nuk ishte i paraparë në projektin ekzekutiv, mirëpo nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara me Ligjin e Prokurimit dhe projekti mund të kompletohej edhe pa asfaltimin e këtij segmenti. Numri i lartë i aneks-kontratave shpërfaq mangësitë në planifikimin dhe në menaxhimin e projekteve kapitale, duke krijuar kosto shtesë të projekteve aktuale. Po ashtu punët shtesë i rrezikojnë fondet e ndara për projekte tjera, duke pamundësuar financimin e projekteve të reja”, thuhet në raporti, shkruan gazeta “Zëri”.

Në këtë rast ZKA-ja rekomandon se kryetari duhet të sigurohet se të gjitha projektet kapitale janë të planifikuara, të hartuara dhe të detajuara mirë përpara inicimit të procesit të prokurimit, me qëllim të menaxhimit efektiv të fondeve të këtyre projekteve. Po ashtu sipas tyre kryetari duhet të sigurojë se aneks-kontrata përdoret në rastet e jashtëzakonshme dhe vetëm pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me Ligjin e Prokurimit.