Komuna e Gjilanit rrënon një objekt të braktisur që rrezikonte sigurinë e qytetarëve

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilan ka realizuar rrënimin e një objekti të braktisur në lagjen “Livadhet e Arapit”, në zonën e njohur si Sheshi Jugu 2, pasi ai ishte vlerësuar si rrezik serioz për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve. Sipas autoriteteve komunale, veprimi është ndërmarrë pas ankesave të qytetarëve dhe vlerësimeve të institucioneve…

Lajme

25/06/2026 10:33

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilan ka realizuar rrënimin e një objekti të braktisur në lagjen “Livadhet e Arapit”, në zonën e njohur si Sheshi Jugu 2, pasi ai ishte vlerësuar si rrezik serioz për sigurinë e banorëve dhe kalimtarëve.

Sipas autoriteteve komunale, veprimi është ndërmarrë pas ankesave të qytetarëve dhe vlerësimeve të institucioneve kompetente, të cilat konstatuan se objekti i amortizuar paraqiste rrezik të lartë për publikun.

Drejtori i Inspekcionit, Isa Agushi, tha se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të shmangur pasojat e mundshme dhe për të garantuar sigurinë e banorëve të zonës.

“Objekti ishte identifikuar si i rrezikshëm dhe pas konstatimeve përkatëse është vendosur që të rrënohet, pasi paraqiste kërcënim për qytetarët”, ka deklaruar Agushi.

Ai theksoi se gërmadha ndodhej në një zonë të frekuentuar dhe përbënte rrezik të veçantë për fëmijët dhe qytetarët që shfrytëzojnë shëtitoren në këtë pjesë të qytetit.

Sipas tij, procesi është zhvilluar nën mbikëqyrjen e inspektorëve komunalë, të cilët kanë siguruar që rrënimi të kryhet në mënyrë të kontrolluar dhe më pas të pastrohet e gjithë hapësira.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim identifikimin dhe largimin e objekteve të braktisura ose të dëmtuara që mund të rrezikojnë sigurinë publike. /Lajmi.net/