Komuna e Ferizajt thotë se ende s’po mund të lëshojë dokumente për shkak të një problemi: Zgjidhja në duart e autoriteteve qendrore

Komuna e Ferizajt thotë po vijon të jetë i pamundur ofrimi i shërbimeve të rëndësishme administrative për shkak të një “problemi teknik në rrjetin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencionit të Regjistrit Civil të Kosovë”. Në njoftimin e lëshuar, Komuna e Ferizajt tha se “ky problem është shkaktuar nga ndërprerja e lidhjes…

Lajme

05/08/2025 11:32

Komuna e Ferizajt thotë po vijon të jetë i pamundur ofrimi i shërbimeve të rëndësishme administrative për shkak të një “problemi teknik në rrjetin qendror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencionit të Regjistrit Civil të Kosovë”.

Në njoftimin e lëshuar, Komuna e Ferizajt tha se “ky problem është shkaktuar nga ndërprerja e lidhjes me sistemin elektronik qendror, gjë që ka bërë të pamundur përpunimin dhe lëshimin e dokumenteve të rëndësishme si: certifikatat personale, ekstraktet familjare, dokumentet e identifikimit si dhe të gjitha shërbimet që varen nga ky sistem”.

“Pavarësisht përkushtimit maksimal të stafit komunal për ofrimin e shërbimeve pa ndërprerje, kjo situatë është jashtë kompetencës sonë dhe zgjidhja e saj mbetet në duart e autoriteteve qendrore”, thuhet në njoftim.

Komuna e Ferizajt tha se është “në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse” dhe se do t’i mbajë qytetarët të informuar “sapo të rikthehet funksionaliteti i sistemit”.

“Lusim për mirëkuptimin dhe durimin tuaj gjatë kësaj periudhe të përkohshme. Për rastet urgjente, ju ftojmë të paraqiteni në sportele, ku zyrtarët përgjegjës do t’ju ofrojnë udhëzimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Komuna e Ferizajt kishte njoftuar për herë të parë më 8 korrik për këtë problem.