Komuna e drejtuar nga Alban Hyseni me njoftim të “veçantë”, nxënësit e “Thimi Mitko” vizitojnë Ujmanin
Disa nxënës të klasave të nënta të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Thimi Mitko” në Gjilan, të shoqëruar nga mësimdhënësit dhe drejtoresha e shkollës, kanë zhvilluar një vizitë edukative në Liqenin e Ujmanit. Komuna e Gjilanit njofton se qëllimi i kësaj vizite ishte që nxënësit të njihen nga afër, me sic u tha, bukuritë…
Lajme
Disa nxënës të klasave të nënta të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Thimi Mitko” në Gjilan, të shoqëruar nga mësimdhënësit dhe drejtoresha e shkollës, kanë zhvilluar një vizitë edukative në Liqenin e Ujmanit.
Komuna e Gjilanit njofton se qëllimi i kësaj vizite ishte që nxënësit të njihen nga afër, me sic u tha, bukuritë natyrore, si dhe me rëndësinë ekonomike dhe turistike të një prej pasurive më të rëndësishme të Kosovës.
“Gjatë vizitës patëm mundësinë të shijojmë peizazhet e mrekullueshme, ndërsa nxënësit mësuan më shumë për rëndësinë e liqenit dhe kaluan momente të këndshme në natyrë”, ka thënë drejtoresha e shkollës. Ardhmerie Jakupi Musliu, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra për informim e komunës së Gjilanit.
Ajo bëri të ditur se për një numër të konsiderueshëm të nxënësve kjo ishte hera e parë që vizitonin Liqenin e Ujmanit, duke e bërë përvojën edhe më të veçantë.
Sipas saj, aktiviteti u vlerësua si një përvojë e rëndësishme edukative, e cila kontribuon në zgjerimin e njohurive të nxënësve dhe në njohjen më të mirë të vlerave natyrore të vendit.
Vizita u organizua në kuadër të aktiviteteve edukative dhe rekreative të shkollës.
Njoftimi nga komuna për këtë ngjarje përbën një “risi” meqenëse jo shpesh ndodh që qeveritë lokale bëjnë njoftime për vizita të nxënësve brenda territorit të Kosovës.
Liqeni i Ujmanit, që ndodhet në veri- perëndim të Kosovës, i takon komunës së Zubin Potokut dhe kufizohet edhe me Serbinë, ka qenë një vend të cilin për shumë kohë, qytetarët nga veriu i Kosovës, në radhë të parë, e kanë vizituar, sidomos verës. Që nga paslufta e këndej, ky masiv ujor me bukuritë përreth, është “shijuar” më pak nga shqiptarët. Këta të fundit i kanë kthyer vizitat në Ujman, prej para dy vjetëve, kur situata e sigurisë në këtë pjesë të vendit është përmirësuar, pas disa veprimeve të qeverisë së Kosovës ndaj strukturave paralele të Serbisë dhe atyre të krimit të organizuar. Për jo pak veta, vizitat në këtë liqen, tash konsiderohen, si vepra deri diku “patriotike”.