Komuna dhe “Pastrimi” përplasen për faturat e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet më 3 shkurt, banorëve të Prishtinës tani u janë dhënë udhëzime kundërvënëse: Kujt duhet t’ia paguajnë ata faturat për grumbullim të mbeturinave? Të hënën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kompania rajonale publike “Pastrimi”, që është aktualisht kompania…
Lajme
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet më 3 shkurt, banorëve të Prishtinës tani u janë dhënë udhëzime kundërvënëse: Kujt duhet t’ia paguajnë ata faturat për grumbullim të mbeturinave?
Të hënën, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se kompania rajonale publike “Pastrimi”, që është aktualisht kompania e vetme e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në këtë detyrë.
E nxitur nga kjo, Komuna e Prishtinës i udhëzoi sot banorët e kryeqytetit që faturat për grumbullimin e mbeturinave të mos ia paguajnë më kompanisë “Pastrimi”.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Prishtinës se faturat për grumbullimin e mbeturinave të lëshuara nga Ndërmarrja KRM “Pastrimi” nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar t’i paguajnë”, thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook.
Tutje, Komuna e Prishtinës tha se pagesat për këtë shërbim “duhet të realizohen përmes Komunës së Prishtinës deri në një vendim të ri”.
Por, pak orë më vonë, kompania “Pastrimi” e quajti këtë vendim të Komunës “të jashtëligjshëm dhe arbitrat” dhe ftoi banorët e kryeqytetit që t’ia paguajnë vetëm kompanisë faturat e grumbullimit të mbeturinave.
Sipas tyre, vendimi i Komunës është i jashtëligjshëm pasi që nuk është marrë ndonjë vendim nga Gjykatat në vend për ta pezulluar rregulloren për menaxhimin e mbeturinave dhe “shkel vendimet e Kuvendit të Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.
“Një veprim i tillë nuk ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve, por vetëm krijimin e një situate kaotike për të justifikuar dhënien e një tenderi 16 milionësh një kompanie private, në dëm të ndërmarrjes publike dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Pastrimi” në Facebook.
Në njoftimin e publikuar, kjo kompani thotë se do të vazhdojë të ofrojnë shërbimin e mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Gjatë vitit 2024, Komuna po ashtu kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe përkohësisht kishte angazhuar operatorë privatë shtesë për të bërë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
Por, sipas kryetarit të Komunës, Përparim Ramës, një angazhim më afatgjatë ishte pamundësuar nga asamblistët opozitarë në Komunë me miratimin e një rregulloreje, e cila “i dha ndërmarrjes ‘Pastrimi’ të drejtën ekskluzive për këtë shërbim”.