Kompany e përgëzon dhe e uron PSG-në, flet edhe për referimin

Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany u shfaq sportiv dhe i qetë pas eliminimit nga Paris Saint-Germaini në gjysmëfinalen e Champions League, duke e komplimentuar skuadrën franceze dhe duke e pranuar se përballja u vendos nga detajet. Bayerni barazoi 1-1 në “Allianz Arena”, por nuk arriti ta përmbyste humbjen spektakolare 5-4 të ndeshjes së parë…

Sport

07/05/2026 12:16

Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany u shfaq sportiv dhe i qetë pas eliminimit nga Paris Saint-Germaini në gjysmëfinalen e Champions League, duke e komplimentuar skuadrën franceze dhe duke e pranuar se përballja u vendos nga detajet.

Bayerni barazoi 1-1 në “Allianz Arena”, por nuk arriti ta përmbyste humbjen spektakolare 5-4 të ndeshjes së parë në Paris, duke ia dhënë PSG-së biletën për në finalen e Budapestit.

Pas ndeshjes, trajneri belg foli për “DAZN Germany” dhe u përpoq ta linte pas menjëherë zhgënjimin e eliminimit.

“Nuk arrij të mbetem i zhgënjyer për shumë gjatë. Sigurisht, në fund humbëm dy ndeshje shumë të luftuara ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Duhej të ishim më vendimtarë. Urime PSG-së”, deklaroi Kompany.

Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt theksoi se Bayerni e dha maksimumin në të dyja sfidat dhe se skuadra duhet ta përdorë këtë eliminim si motivim për sezonet e ardhshme.

“Champions League për ne përfundon këtu këtë sezon, por do ta kemi një tjetër mundësi dhe kjo është një motivim për mua”, shtoi ai.

Kompany e analizoi edhe aspektin taktik të përballjes, duke e vlerësuar organizimin defanziv të kampionëve francezë.

“Mendoj se pjesa jonë e parë ishte e mirë. PSG-ja u mbrojt në mënyrë të jashtëzakonshme në krosime dhe në topat e dytë. Edhe kur krijonim situata të rrezikshme, ata arrinin të na ndalonin të godisnim drejt portës”, u shpreh trajneri i Bayernit.

Megjithatë, Kompany la të kuptohej se në kampin bavarez ekziston edhe pakënaqësi për disa vendime arbitrale gjatë dy ndeshjeve.

“Ka disa vendime arbitrale që nuk na bëjnë të lumtur, por kemi respekt të madh për PSG-në dhe për këtë arsye i përgëzojmë për kualifikimin”, deklaroi ai për Sky Sport.

Pavarësisht eliminimit, sezoni i parë i Kompanyt në bankinën e Bayernit konsiderohet pozitiv, pasi bavarezët e rikthyen titullin e Bundesligës dhe arritën deri në gjysmëfinalen e Champions League, duke e treguar një futboll ofanziv dhe modern gjatë gjithë sezonit.