Kompanive të sigurimeve u janë rritur humbjet

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kompanitë e sigurimeve deri në tremujorin e parë të këtij viti kanë shënuar humbje për 0.3 për qind.

Lajme

06/06/2014 09:51

Gjatë kësaj periudhe të hyrat e kompanive të sigurimeve kanë qenë 16.9 milionë euro, përderisa shpenzimet ishin 17.2 milionë euro.

Prej tyre këto kompani kanë shpenzuar 8.1 milionë euro për dëmet e ndodhura, ndërkaq 9.1 milionë tjera janë harxhuar për shpenzime tjera.

Sipas raportit, vlera e aseteve të këtyre kompanive është 132.2 milionë euro, ku prej tyre 118.9 milionë euro janë nga sigurimet ‘jo jetë’ dhe 13.3 milionë euro nga sigurimet ‘jetë’.

E zyrtarët e kompanive të sigurimeve thonë se i dinë shkaktarët që u kanë krijuar humbje.

Rrahim Pacolli, anëtar i bordit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ka thënë për Tribuna se humbjet e shkaktuara janë nga numri i madh i aksidenteve të cilat po ndodhin në trafik.

“Numri i aksidenteve në Kosovë është më i madh se në shtetet e rajonit”, ka thënë Pacolli.