Kompanitë paraqitën kërkesat për shtrenjtim të rrymës, nga Qeveria e Kosovës thonë kompetencat për vendim i takojnë ZRrE-së

Nga data 1 prill e vitit 2025, qytetarët e Kosovës do të mund të përballen edhe me një krizë ekonomike, e që ka të bëj drejtpërdrejtë me energjinë elektrike. Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike dhe KOSTT dhe dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike…

Lajme

26/02/2025 12:19

Nga data 1 prill e vitit 2025, qytetarët e Kosovës do të mund të përballen edhe me një krizë ekonomike, e që ka të bëj drejtpërdrejtë me energjinë elektrike.

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike dhe KOSTT dhe dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dërguar kërkesë tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë aplikacionet për përshtatjen e të hyrave të lejuar maksimale për vitin 2025.

ZRrE përmes një përgjigjeje të dhënë për lajmi.net, ka thënë dje se aktualisht janë në procesin e vlerësimit të këtyre aplikacioneve dhe se nuk është marrë ndonjë vendim.

Sipas tyre pasi të bëhet vlerësimi përfundimtar do të publikohet një raport për konsultim me publikun për një periudhë e cila do të zgjasë dy javë.

“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar aplikacionet për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara Maksimale për vitin 2025 nga KOSTT, KEDS dhe KESCO. Aktualisht, Zyra e Rregullatorit është në procesin e vlerësimit të këtyre aplikacioneve. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja do të publikojë një raport për konsultim me publikun për një periudhë dy javore”.

Gjithashtu ZRrE tha se pas shqyrtimit të komenteve të marra, pritet që deri në fund të muajit mars të bëhet përgatitja apo vlerësimi përfundimtar që do t’i propozohet pastaj bordit të kompanisë për miratim.

“Pas shqyrtimit të komenteve të marra, pritet që deri në fund të muajit mars të përgatitet vlerësimi përfundimtar i cili do t’i propozohet Bordit të ZRRE-së për miratim. Deri në vlerësimin përfundimtar të aplikacioneve dhe publikimin e raportit konsultativ, ZRRE-ja nuk mund të bëjë komente lidhur me mundësinë e rritjes apo uljes së tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025”,u tha tutje.

Pak më vonë nga kjo përgjigje dje, ZRrE përmes një komunikate për media ka reaguar duke i quajtur “spekulime” të gjitha raportimet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Sipas tyre, çdo raportim para se të publikohet raporti mund të jetë spekultim dhe se ZRrE nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. 

E në lidhje me situatën e krijuar në publik, e që rrezikon të prekë drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve lajmi.net ka kontaktuar me Ministrinë e Ekonomisë, e cila merret saktësisht me kompanitë e lartpërmendura dhe janë nën kompetencat e tyre.

Nga Qeveria e Kosovës në detyrë, saktësisht nga Ministria e Ekonomisë duket se nuk duan që as të merren me përgjegjësinë që u takon në lidhje me rritjen e çmimit të faturave të energjisë elektrike.

Ata thjesht thonë se përgjegjësia në lidhje me këtë i takon ZRrE-së, duke u tërhequr kështu nga përgjegjësia që në fakt ka mbi vete Qeveria e Kosovës.

“Rregullatori i Energjisë (ZRRE) është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë dhe bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë elektrike. Lidhur me çështjen për të cilën keni shtruar pyetje, ju lutem drejtojuni komunikatës së fundit të lëshuar nga ZRRE”, kanë thënë nga Ministria e Ekonomisë.

Pas raportimeve se çmimi i rrymës mund të rritet për 30%, reagime të shumta përveç nga qytetarët të cilët janë shprehur të shqetësuar kanë ardhur edhe nga partitë opozitare.

Deputeti i rizgjedhur në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala deklaroi se është afati ligjor për shqyrtimin e tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të përgatiten për këtë fazë.

“Është afati kohor ligjor i shikimit të tarifave dhe institucionet e shtetit duhet të parapërgatiten për këtë fazë. Nga ajo që shihet, qeveria në shkurt e ka përgatitë terrenin për një rritje të çmimit të energjisë për muajin që vjen e kjo s’do duhej të ndodhte”, shprehet Shala.

Kurse deputetja e zgjedhur sërish nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar qeverinë duke thënë se gjatë mandatit udhëheqës, Qeveria kishte dyfishuar çmimin e energjisë elektrike.

Bajrami ka thënë se një rritje e tillë do ishte barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset.

“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë: A do të rritet sërish çmimi i energjisë elektrike? Në mandatin e kaluar, kjo qeveri DYFISHOI çmimin e energjisë elektrike. Sipas raportimeve të mediave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë kërkuar një rritje tjetër të çmimit prej rreth 35%, që do të jetë barrë e papërballueshme për ekonomitë familjare dhe bizneset. Derisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar dhe po shqyrton kërkesat e kompanive për lejimin e të hyrave për 1 prill 2025 deri me 31 mars 2026, Qeveria në detyrë po heshtë. Qeveria në detyrë e ka për obligim të deklarohet nëse do të lejojë të ketë edhe rritje tjetër të çmimit të energjisë nga 1 prill, apo do të marrë masa për ta parandaluar?Ata duhet ta dinë se edhe dhe një rritje tjetër e faturave të energjisë do të jetë e papërballueshme për pjesën dërrmuese të qytetarëve – nuk munden qytetarët në vazhdimësi të paguajnë më shumë për shkak të keqmenaxhimit dhe paaftësisë së qeverisë. mjaft më me rritje çmimesh, mjaft më me justifikime”, shtoi Bajrami.

Kandidati për deputet nga forumi intelektual “E30”, Artan Nimani ka thënë se qytetarët e Kosovës në tre vitet e fundit janë përballuar me një rritje prej 145 për qind të energjisë elektrike dhe sipas tij, qeveria Kurti është peng e mafisë energjetike.

“Në vitin 2021 kemi pasur rritje 100 për qind të çmimit të energjisë elektrike, në vitin 2022 kemi pasur 15 për qind rritje të çmimit, 30 për qind dhe tashti mes 30 dhe 35 për qind. E kjo i bie që për tre vjet radhazi të kemi rritje mbi 145 apo 150 për qind të faturës së energjisë elektrike dhe si pasojë janë konsumatorët ata që do ta paguajnë”, ka thënë ai.

Pas ngritjes së pothuajse të gjitha çmimeve në shportën e konsumatorit, si dhe çmimeve të apartamenteve për banim e shumë çka tjetër, rritja e çmimit të rrymës do të shkaktonte një “kolaps” në jetën dhe funksionimin e qytetarëve.

Kurse siç ka shkruar deputeti shqiptar në kantonin e Bernit në Zvicër, Korab Rashiti, qytetarët e Kosovës shpenzojnë 14.9% e pagës së tyre për rrymë për dallim nga qytetarët e Zvicrës që shpenzojnë vetëm 2.95% e pagës së tyre.

Qytetarët e Kosovës do ta kuptojnë në ditët e para të prillit nëse do të paguajnë 30% më shumë për energjinë elektrike që do të shpenzojnë, rritje kjo që sidomos gjatë dimrit kur konsumi është më i lartë, do të vështirësoj jashtë mase gjendjen ekonomike të tyre. /Lajmi.net/