Kompania “Tregtia” nuk aplikon për leje të përdorimit, mban peng mijëra qytetarë
Një prej ndërtuesve më të mëdhenj në Prishtinë, kompania “Tregtia” po i mban peng qytetarët që kanë blerë banesa tek ta.
Lajme
Kompania “Tregtia” ka qenë njëri prej ndërtuesve më të përkëdhelur në Prishtinë që nga paslufta. Bëri ndërtime pa leje pa u penguar nga askush, në kohën kur me Prishtinën udhëhiqte LDK-ja. Tash që po ndërton me leje, kjo kompani nuk e ka marrë mundin asnjëherë që të aplikojë në Komunën e Prishtinës për t’u pajisur me certifikatë të përdorimit që do t’ua mundësonte qytetarëve banesat t’i regjistrojnë në emrin e vetë në Kadastër, shkruan lajmi.net.
Komuna e Prishtinës, duke parë kritikat në adresë të saj se nuk po lëshon certifikata të përdorimit për ndërtesat që vet i ka pajisur me leje, ka bërë publike të gjitha aplikimet për këto lloje të lejeve, dhe sipas aplikimeve shihet që kompania “Tregtia” nuk ka aplikuar asnjëherë deri më tani për leje të përdorimit për ndonjë banesë.
Lajmi.net ka adresuar pyetje edhe në kompaninë “Tregtia”, por kjo kompani nuk ka kthyer përgjigje.
Banesat që nuk kanë certifikatë të përdorimit mund të shiten vetëm njëherë nga ndërtuesi dhe pronari i tokës me parakontratë të noterizuar. Shitja e tyre nuk mund të bëhet më deri në pranimin teknik të tyre. Kjo po i bllokon ekonomitë familjare në qarkullimin mjeteve të tyre. Problemi më i madh është tek çiftet e reja, se nuk po mund t’i fusin ato në hipotekë.
Njëra prej dyshimeve që kjo kompani nuk po aplikon për certifikatë përdorimi mund të jetë ngase në disa banesa ka probleme teknike, po u hynë uji në garazhe kur ka të reshura dhe shumë nga to i ka pa leje të ndërtimit.
“Ndërtesa e jonë është e shitur dhe janë paguar të gjitha banesat. Kemi kërkuar nga pronari të dimë se kur do mund të pajiset me certifikatë të përdorimit, por nuk na ka thënë asgjë. Ajo ndërtesa tjetër atje ka probleme me ujin që u hynë në garazh, dhe vështirë që mund të lëshohet leje përdorimi për të”, thotë një banor që banon në njërën prej banesave të “Tregtisë” mbi hekurudhë, në lagjen “Arbëria”.
Lajmi.net ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga anëtarët e këshillit shtëpiak të banesave që kjo kompani i ka në “Mati 1”, por askush nga ta nuk ka qenë i gatshëm të flas. Por, janë banorët ata që janë të mllefosur. “ Askush nuk i ka kesh krejt paratë ta blejë një banesë. Bankat nuk i marrin hipotekë banesat që s’kanë leje pranimi dhe si rrjedhojë nuk lëshojnë kredi. Megjithëkëtë ne i kemi pasur paratë, por akoma nuk e kemi regjistruar në emrin tonë në Kadastër, ngase ndërtesa nuk e ka edhe një leje tjetër që duhet me pas. Po është një absurdi e llojit të vetë më ligjet te ne, tatimin në pronë ta kërkojnë e pronarin nuk e njohin”, thotë një qytetar që ka blerë banesë tek “Tregtia” në “Mati 1”.
Sipas raportit të publikuar nga Komuna, të cilin e ka parë lajmi.net, shihet se Drejtoria e Inspekcionit ka pranuar gjithsejë 99 kërkesa deri me datë 06. 03. 2019, dhe kërkesat e miratuara për certifikatën e përdorimit janë vetëm 16.
Kërkesat e refuzuara për mos dorëzimin e dokumentacionit janë 21. Po sipas raportit, kërkesat e refuzuara për mos respektimin e projektit të miratuar nga organi kompetent Drejtoria e Urbanizmit janë 20-të. Kërkesat në procedurë administrative janë 11. Kërkesa të cilat investitorët kanë bërë tërheqjen e dokumentacionit janë 3.
Kërkesave të cilave ju është bërë inspektimi final nga data 28.02.2019 deri me datën 05.03.2019, janë 11. Kërkesave të cilave ju bëhet inspektimi final gjatë ditëve në vijim janë 5 kërkesa. Në disa raste është bërë kërkesa nga dy herë për të njëjtën lëndë.
Certifikata e përdorimit është një dokument i lëshuar nga organet kompetente të komunës me të cilën vërtetohet se ndërtimi është i përshtatshëm për përdorim dhe qytetarët mund të jetojnë aty. Mirëpo, me moslëshimin e certifikatave të përdorimit (pranimit teknik), po dëmtohen qytetarët që po blejnë banesa, pasi kështu këto prona nuk mund të regjistrohen në kadastër dhe rrjedhimisht as nuk mund të futen në hipotekë.
Kompania “Tregtia” e ka fituar projektin më të madh në Komunën e Prishtinës dhe pritet të ndërtojë kompleksin banesor “Kodrina” në lagjen “Mati 1”. Për ‘rastësi’ tani Partia Socialdemokrate (PSD) e drejtuar nga Shpend Ahmeti, zyret qendrore të saj i ka në objektet e “Tregtisë” në lagjen “Arbëria”, po ashtu ai objekt është pa pranim teknik. Ndërkohë, para pak kohësh, kryetari Shpend Ahmeti mori vendim që të formojë komitetin konsultativ për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Në emrin e të përzgjedhurve, si anëtar i Odes Ekonomike Amerikane është edhe Ferhat Bejtullahu. I njëjti është arkitekt të kompania “Tregtia”. Ai është mbikëqyrës kryesor në kompleksin e ndërtimit të “Kodrinës”. Emri i Ferhat Bejtullahut, si arkitekt i “Tregtisë”, figuron edhe në lejen e ndërtimit që Komuna ia ka dhënë kësaj kompanie për projektin “Kodrina”. Madje ai paraqitet si hartuesi kryesor i projektit. Bejtullahu, figuron edhe në leje tjera të ndërtimit që “Tregtia” ka marr leje nga Komuna e Prishtinës në kohën sa është në udhëheqje nga Shpend Ahmeti.
Kurse nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi ka të punësuar familjar tek kompania “Tregtia. Në këtë kompani i punon djali i vëllait të tij.
Kompania “Tregtia” ka marrë disa leje të ndërtimit viteve të fundit në kryeqytet, derisa në kohën sa në Prishtinë ka qeverisur LDK-ja ka qenë njëra nga kompanitë që kanë bërë ndërtime pa leje. Për ndërtimet pa leje, drejtuesit e saj kanë aplikuar për legalizim të tyre në Komunën e Prishtinës, por për ato objekte nuk mund të aplikojë për leje të përdorimit derisa të legalizohen.
Ndërkaq, që nga viti 2015 e deri më tani Komuna e Prishtinës ka lëshuar rreth 740 leje të ndërtimit, nga to janë rreth 240 leje të ndërtimit për objekte shumë banesore me afarizëm. Në to hynë shumë llamella, pasi investitorit i lëshohet një leje e ndërtimit për ndërtimin e një ose më shumë llamellave, varësisht si e lejon Planin rregullues.
Komuna lëshon leje për objekte individuale, depo, ndërrim destinimi, objekte shtetërore, objekte shumë banesore -afariste etj.
Për tre muajt e parë të këtij viti, Komuna ka lëshuar 40 leje të ndërtimit, 16 nga to janë për objekte shumë banesore -afarizëm
Në vitin 2018, Komuna ka lëshuar 195, dhe rreth 65 leje për objekte të larta-afariste.
Në vitin 2017, Komuna ka lëshuar 183 leje ndërtimi me gjithsejtë sipërfaqe ndërtimore 563,985.00 m2, nga to janë rreth 50 leje të objektet shumë banesore -afarizëm.
Në vitin 2016 janë lëshuar 160 leje të ndërtimit, nga to janë 55 për objektet shumë banesore me afarizëm.
Në vitin 2015 janë lëshuar 158 leje të ndërtimit, nga to 54 për objektet shumë banesore me afarizëm. /Lajmi.net/
Gjendja e lëndëve të inspektimit final, deri më 6 mars 2019: