Kompania nga Beogradi fiton tender 137 mijë euro në KEK

Edhe pse raportet politike mbeten të tensionuara, kompanitë nga Serbia po gjejnë hapësirë në tregun publik të Kosovës përmes tenderëve institucional. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur fitues për tenderin e riparimit dhe testimit të valvave siguruese në blloqet B1 dhe B2, në një vlerë prej 137,316.60 euro. Fitues i tenderit është Grupi i…

Lajme

05/08/2025 13:38

Edhe pse raportet politike mbeten të tensionuara, kompanitë nga Serbia po gjejnë hapësirë në tregun publik të Kosovës përmes tenderëve institucional.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur fitues për tenderin e riparimit dhe testimit të valvave siguruese në blloqet B1 dhe B2, në një vlerë prej 137,316.60 euro. Fitues i tenderit është Grupi i Operatorëve Ekonomik UNIVERS-M SH.P.K., në konsorcium me ICI doo, një kompani me seli në Beograd, të Serbisë.

ICI doo, e cila specializohet në shërbime inxhinierike dhe teknike, është e regjistruar në Mačvanska 8, 11080 Beograd – Zemun, Republika e Serbisë.
Kompania ka një histori të gjatë dhe ofron një gamë të gjerë shërbimesh të specializuara, përfshirë riparime të Metalock pa hyrje nxehtësie dhe teste të valvulave të sigurisë në vend.

Për tridhjetë vjet ne jemi zhvilluar, duke investuar në edukim të vazhdueshëm, inovacion dhe aplikim të teknologjive të reja. Ne jemi një nga liderët në Serbi në fushën e saldimit të riparimit dhe kemi një certifikatë të respektuar nga DNV-GL,” thuhet në faqen zyrtare të kompanisë.

Kompania ICI doo ishte regjistruar në Kosovë në vitin 2020 si degë e huaj, por sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, ajo është mbyllur më 25 qershor 2024, shkruan Demokracia.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shkruar ndër të tjera se “Termocentralet e KEK janë infrastrukturë kritike. Siguria e tyre është siguri kombëtare!”

Tenderi i KEK-ut përfshin punime teknike të specializuara në blloqet B1 dhe B2 të termocentralit, që përfshijnë riparimin dhe testimin e valvave siguruese, duke nisur nga demontimi, ndërrimi i puthitësave dhe pjesëve të dëmtuara, pastrimi nga korrozioni, testimi dhe kalibrimi i sustave, e deri te përpunimi i sipërfaqeve puthitëse dhe shtjellimi final i valvave përmes metodës kompjuterike.