Kompania “Kosova e Re” ka disa kontrata aktive me institucionet, muajin e ardhshëm vendoset nëse kjo kompani do të mbyllet

Pas falimentimit të kompanisë “Insig”, edhe një kompanie tjetër të sigurimeve rrezikohet t’i vihet dryni. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka futur nën administrim të përkohshëm kompaninë e sigurimit “Kosova e Re”.

Lajme

24/03/2021 17:32

Banka Qendrore e Kosovës e ka futur në listën e zezë kompaninë e sigurimeve “Kosova e re”.

Për shkak të situatës së keqe financiare dhe mospërmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja në vitin e kaluar ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit “Kosova e Re”, shkruan lajmi.net

Ende nuk është marrë vendimi final për të, nëse do të shpallet kompani e falimentuar, pasi për fatin e saj do të dihet pas pak javëve.

“Si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike, në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm nga data 1 nëntor 2020 deri më 30 prill 2021. Rezultati përfundimtar i procesit të administrimit do të vlerësohet nga Bordi Ekzekutiv gjatë muajit prill”, tha për lajmi.net, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së

Administrimi është faza para likuidimit të një kompanie dhe kjo ndodh për shkak të paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital.

Kompania “Kosova e Re” është në pronësi të kompanisë nga Ferizaj “Fitorja” SHPK, dhe drejtor menaxhues-gjeneral është Liridon Berisha.

Me gjithë problemet e mëdha që mund ta qojnë në shuarje, kjo kompani ka disa kontrata aktive me institucionet publike.

Lajmi.net ka gjetur se, në vitin 2020, “Kosova e Re” ka lidhur 13 kontrata me institucionet publike në vlerë prej 305,854.27 eurove, disa nga kontratat janë realizuar me procedurë të negociuar, ani pse institucionet publike e kanë ditur se kjo kompani ka probleme, por dyshimet janë se mund të kenë pasur biseda interne me BQK-ne.

Në vitin 2019  kjo kompani ka lidhur 9 kontrata në vlerë prej 319,686.04 eurove.

Kompania e Sigurimeve “Kosova e Re”, në tregun e sigurimeve në Kosovë është e pranishme që nga viti 1974. Nga ky vit, në përputhje me ridefinimin e statusit të saj, u themelua si Bashkësi e sigurimit të Pasurisë dhe Personave me emrin “Kosova”. Që nga viti 1990 ka punuar si shoqëri aksionare.

Në harmoni me bazat e transformimit të pronësisë, Kuvendi i aksionarëve vendosi ta riorganizojë në Kompani të Sigurimeve “Kosova”, me status të shoqërisë aksionare, duke miratuar aktet themelore si dhe duke emëruar Këshillin Drejtues, Këshillin mbikëqyrës dhe Drejtorin e përgjithshëm të Kompanisë.

Para dy viteve kompania e sigurimeve INSIG në Kosovë ka falimentuar, dhe menjëherë më pas janë rritur tarifat nga ana e BQK-së.

Bankës Qendrore të Kosovës kishte marrë vendimin që kjo kompani të mos vazhdojë punën. Në vendimin e Bordit thuhej se Kompania e Sigurimit  “INSIG” ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë pagese – Solvencës. /Lajmi.net/