Komiteti Paralimpik i Kosovës bëhet me zyre të reja

Nëntë vjet pas themelimit, më 2012, institucioni më i lartë i lëvizjes paralimpike, Komiteti Paralimpik i Kosovës, ka arritur që me ndihmën e donatorëve dhe institucioneve vendore e ndërkombëtare, të inaugurojë zyret e para në histori të kësaj organizate.

Lajme

04/12/2021 21:36

Në prani të zëvendës Ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, shef i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, koordinatores së UN Development Ulrika Richardson, ambasadorit të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu si dhe Bujar Kadriut, Presidentja e Forumit Kosova për persona me aftësi të kufizuara, Serhan Ozarslan, zv. drejtor i TEB Sh.a. dhe shumë personaliteteve vendore e ndërkombëtare si dhe atletëve, ceremonia ka filluar me prerjen e shiritit, duke e shpallur të hapur edhe zyrtarisht, ambientin që përfaqëson adresën e lëvizjes paralimpike.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini: “Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, e kemi inauguruar zyrën e Komitetit Paralimpik të Kosovës. Është ditë e veçantë për ne, përkundër kushteve të vështira, u punua shumë që që të bëhet më e mira për mbrojtjen e vlerave të paraplimpizmit.. Dëshiroj të falënderoj institucionet tona vendore dhe ato ndërkombëtare për mbështetjen e tyre. ”

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: “Jam i lumtur që EULEX-i ka kontribuar për një shoqëri gjithëpërfshirëse për të gjithë përmes dhurimit të pajisjeve të TI-së dhe mobiljeve për zyrë në zyrën e parë zyrtare të Komitetit Paralimpik të Kosovës. Ka shumë sportistë të talentuar me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe shpresojmë se do të mund të marrin pjesë edhe në Paraolimpiadën e ardhshme në Paris në vitin 2024 dhe ta bëjnë Kosovën krenare duke fituar medalje”.

Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për zhvillim, tha se “Njomza dhe ekipi punojnë sipas paradigmes të punohet me komunitetin për komunitetin.” “Gjithëpërfshirja edhe obligim dhe detyrë në secilin proces prej vendim-marrjes e deri te aktivizmi dhe aktivitetet,” ka thënë Ulrika Richardson.

Në fjalën e tij zv. drejtori i TEB Sh.a. Serhan Ozarslan ka lavdëruar Komitetin Paralimpik të Kosovës për punën e mirë dhe përkushtimin.

“Ky angazhim dhe përkushtim për ta quar në nivele të larta organizimin e aktiviteteve të sporteve paralimpike, na ka shtyrë që të krijojmë partneritet të shëndoshë dhe të synojmë bashkëpunim serioz në 4 vitet e ardhshme. TEB Sh.a. ka qenë dhe do mbetet gjithmonë afër sportit, me theks të veçantë edhe atij paralimpik”.

Në fund të ceremonisë, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës nënshkroi marrëveshje për donacion me EULEX-in dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me koordinatoren e OKB-së.
Ambienti i ri sot ka qenë vendtakim, por në të ardhmen do të jetë në funksion të Komitetit Paralimpik të Kosovës.