Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor
Parlamenti Evropian ka vendosur në rend dite për seancën plenare të 27 nëntorit votimin për konfirmimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian të drejtuar nga Ursula von der Leyen, pasi u arrit pajtim mes grupimeve kryesore politike për konfirmimin e të gjithë komisionarëve të propozuar. Komisionarët e propozuar kanë kaluar nëpër seanca dëgjimore në…
Lajme
Parlamenti Evropian ka vendosur në rend dite për seancën plenare të 27 nëntorit votimin për konfirmimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian të drejtuar nga Ursula von der Leyen, pasi u arrit pajtim mes grupimeve kryesore politike për konfirmimin e të gjithë komisionarëve të propozuar.
Komisionarët e propozuar kanë kaluar nëpër seanca dëgjimore në komisionet përkatëse të PE-së dhe tani secili prej tyre ka marrë mbështetjen për të ushtruar detyrën e komisionarit në fushën që është caktuar.
Mospajtimet janë tejkaluar mes tri grupeve pro-evropiane, Partisë Popullore Evropiane (EPP), që është grupi më i madh, Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) që është grupi i dytë për nga madhësia dhe grupit të liberalëve i cili ka shënuar rënie dhe është grupi i pestë për nga numri i përgjithshëm i deputetëve në PE.
Këto tri grupe së bashku kanë shumicën e mjaftueshme për ta votuar në seancë plenare Komisionin e ri Evropian.
Pritet po ashtu që edhe dy grupe tjera, që konsiderohen se të ekstremit të djathtë, të votojnë në favor të KE-së pasi në përbërje të tij do të jenë edhe kandidatë nga këto grupe si Oliver Varhelyi nga Hungaria dhe Raffaelo Fitto nga Italia.
Partia në pushtet në Hungari është pjesë e grupit Patriotët për Evropën, ndërsa partia e kryeministres së Italisë, Georgia Meloni, është pjesë e grupit Konservatorët dhe reformistët.
Burimet e Radios Evropa e Lirë në PE, por edhe në KE, kanë shprehur siguri se më 27 nëntor me shumicën e nevojshme do të votohet përbërja e re e KE-së. Kjo do t’i mundësojë Komisionit të ri të nisë zyrtarisht mandatin më 1 dhjetor.
Me rajonin e Ballkanit Perëndimor në pesë vjetët e ardhshëm më së shumti do të merren komisionarja e ardhshme sllovene për Zgjerim Marta Kos dhe shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.