Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt nis intervistimet javën e ardhshme, kryetari nënshkruan ftesat e para
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje pritet të nisë intervistimin e dëshmitarëve gjatë javës së ardhshme. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se tashmë janë…
Lajme
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje pritet të nisë intervistimin e dëshmitarëve gjatë javës së ardhshme.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se tashmë janë nënshkruar ftesat e para për dëshmitarët.
“Në emër të Komisionit Hetimor, sot kam nënshkruar ftesat e para për dëshmitarët. Gjatë javës së ardhshme fillojmë intervistimet, bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka shkruar ai.
Ky zhvillim vjen një ditë pas diskutimeve dhe përplasjeve mes anëtarëve të komisionit gjatë mbledhjes së së hënës.
Gjatë diskutimit për rendin e ditës, anëtari i komisionit nga PDK-ja, Eman Rrahmani, kishte ngritur shqetësime për vonesat në dorëzimin e dokumentacionit nga Zyra e Kryeministrit.
Rrahmani kishte pretenduar se raportet e dërguara nuk ishin të nënshkruara nga ministritë përkatëse dhe se institucionet po pengonin zbardhjen e përgjegjësive në rastin e Arlinda Zekajt.
Ai kishte kërkuar që komisioni të sigurojë dokumentacion nga të gjitha institucionet përgjegjëse, duke kritikuar edhe mënyrën e trajtimit të kërkesave të opozitës.
Ndaj këtyre deklarimeve kishte reaguar anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili kishte theksuar se puna e komisionit nuk duhet të pengohet nga përplasjet politike.
Rrustemi kishte thënë se komisioni duhet të merret profesionalisht me çdo veprim dhe mosveprim të institucioneve, përfshirë përgjegjësitë e Policisë, Prokurorisë, Gjykatës dhe ministrive përkatëse.
Ai kishte kundërshtuar politizimin e rastit, duke insistuar se procesi hetimor duhet të vazhdojë pa pengesa.
Tashmë, me nënshkrimin e ftesave të para, komisioni pritet të kalojë në fazën e intervistimit të dëshmitarëve, në kuadër të përpjekjeve për të shqyrtuar përgjegjësitë institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. /Lajmi.net/