Komisioni Evropian s’do të jetë në gjendje ta nisë mandatin e ri më 1 nëntor
Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, ka njoftuar të mërkurën se seancat dëgjimore për kandidatët për anëtarë të Komisionit Evropian (KE) do të zhvillohet nga 4 deri më 12 nëntor, duke bërë që të shtyhet fillimi i mandatit të ri të këtij komisioni. Ky është vendimi i konferencës së presidentëve në Parlamentin Evropian, ku…
Bota
Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, ka njoftuar të mërkurën se seancat dëgjimore për kandidatët për anëtarë të Komisionit Evropian (KE) do të zhvillohet nga 4 deri më 12 nëntor, duke bërë që të shtyhet fillimi i mandatit të ri të këtij komisioni.
Ky është vendimi i konferencës së presidentëve në Parlamentin Evropian, ku marrin pjesë shefat e grupimeve partiake.
Ky vendim i PE-së e bën të pamundur zbatimin e planit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që mandatin e dytë ta nisë më 1 nëntor, pas zgjedhjeve të qershorit në bllokun evropian.
Tani, data më e mundshme për nisjen e punës së Komisionit Evropian flitet të jetë 1 dhjetori i këtij viti. Edhe kjo datë është e mundshme vetëm me kusht që asnjë nga kandidatët të mos refuzohet nga komitetet përkatëse i PE-së.
Nga kandidatët që do të dëgjohen dhe për të cilët do të votohet në Parlamentin Evropian, për Kosovën dhe rajonin më të rëndësishmit janë Kaja Kallas – e cila do të jetë përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe siguri – dhe Marta Kos, e cila është emëruar të jetë komisionare për zgjerim.
Të dyja këto kandidate do të dëgjohen dhe votohen në komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Shumë diplomatë dhe parlamentarë në Bruksel edhe më herët ishin shprehur se data 1 nëntor për nisjen e mandatit të ri të KE-së, që e ka përmendur Von der Leyen, ka qenë joreale dhe se ajo e kishte përmendur këtë datë “për të bërë presion” ndaj Parlamentit Evropian.
Kur të gjithë kandidatët ta marrin pëlqimin e komisioneve parlamentare, atëherë Parlamenti Evropian voton në një seancë plenare për tërë Komisionin Evropian.
Në rast se ndonjë nga kandidatët nuk e merr pëlqimin, atëherë vendi nga i cili vjen duhet ta dërgojë një kandidat tjetër, i cili prapë duhet të kalojë tërë procedurën e miratimit.
Kjo do të shkaktonte vonesa të reja. Prandaj edhe 1 dhjetori si datë për nisjen e mandatit duket mjaft ambicioz, por jo edhe i pamundur. /REL