KOMF për rastet e fundit të dhunës seksuale ndaj fëmijëve: Urgjencë për reagim të menjëhershëm nga shteti dhe shoqëria
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka reaguar pasi që vetëm brenda 24 një dite në vendin tonë, javën që lamë pas ndodhën dy raste të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura. Njëra 9 vjeçe nga një person 26 vjeçar, e tjetra 15 vjeçare u drogua e pastaj edhe u dhunua nga pesë…
Lajme
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka reaguar pasi që vetëm brenda 24 një dite në vendin tonë, javën që lamë pas ndodhën dy raste të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura.
Njëra 9 vjeçe nga një person 26 vjeçar, e tjetra 15 vjeçare u drogua e pastaj edhe u dhunua nga pesë persona.
KOMF konstatoi se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve dhe abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.
Reagimi i plotë:
KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, ka ndjekur me shqetësim të thellë publikimet e ditëve të fundit në media për dy raste të rënda të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura.
KOMF konstaton se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve dhe abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.
Kjo gjendje shoqëruar edhe me apatinë institucionale në themelimin e shërbimeve thelbësore për fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku raste të tilla të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, vazhdojnë të rriten.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve ka pasoja shkatërruese dhe afatgjata për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të tyre. Ajo e dëmton zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, shpesh duke shkaktuar trauma të rënda, ankth, depresion dhe probleme me besimin në vete e tek të tjerët. Viktimat mund të kenë vështirësi me vetëvlerësimin, të kenë probleme në krijimin e marrëdhënieve dhe të përballen me vështirësi në mjedisin shkollor dhe social. Pasojat e abuzimit seksual i cili është edhe forma më e rëndë e abuzimit, lënë gjurmë të të mëdha në jetën e fëmijës.
KOMF kërkon:
Themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve dhe programeve parandaluese për adresimin e abuzimit seksual të fëmijëve;
Themelimin e linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës, i paraparë në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, për të rritur raportimin e rasteve të dhunës, abuzimit, neglizhencës dhe trafikimit të fëmijëve;
Ofrimin urgjent të trajtimit të specializuar dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual;
Inspektimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë pesë viteve të fundit;
Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;
Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
Përgjegjësi penale nga të gjithë profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve;
Intensifikimin e trajnimeve mbi edukimin seksual dhe parandalimin e dhunës seksuale përmes procesit mësimor në shkolla, për të fuqizuar rolin e shkollës në parandalimin e kësaj dukurie.
Presim veprimet urgjente dhe konkrete të institucioneve për trajtimin e këtyre rasteve dhe shprehim gatishmërinë tonë si Koalicion, për të mbështetur këtë proces, për të garantuar jetë të sigurtë dhe të shëndetshme për të gjithë fëmijët.