​KOMF për dhunën ndaj vajzës 12 vjeçare nga një 18 vjeçare: Alarm serioz për gjithë shoqërinë

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve – KOMF shpreh shqetësim të thellë lidhur me pamjet e publikuara në media, ku një fëmijë vajzë 12 vjeçare ka pësuar dhunë nga një vajzë 18 vjeçare. KOMF thekson se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të trajtohet thjesht si një incident apo rast i izoluar, por është…

Lajme

23/08/2026 20:31

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve – KOMF shpreh shqetësim të thellë lidhur me pamjet e publikuara në media, ku një fëmijë vajzë 12 vjeçare ka pësuar dhunë nga një vajzë 18 vjeçare.

KOMF thekson se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të trajtohet thjesht si një incident apo rast i izoluar, por është një alarm serioz për gjithë shoqërinë, familjen si institucion, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve.

“Po ashtu, nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj një fëmije, por edhe me një shfaqje të hapur të dhunës, e cila është filmuar. Ekspozimi i tillë mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e viktimës, duke rritur rrezikun e stigmatizimit dhe traumës”, thuhet në reagim.

KOMF bën thirrje për aktivizimin e menjëhershëm të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në nivel lokal, përfshirë Qendrat për Punë Sociale dhe shërbimet psiko-sociale, për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimës;

Ndërmarrjen e masave të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse të rendit dhe drejtësisë ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

Fuqizimin e shërbimeve dhe programeve parandaluese ndaj dhunës, përmes fuqizimit të familjes, edukimit në shkolla, mbështetjes për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe programeve që promovojnë respektin, tolerancën dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

KOMF po ashtu u bën thirrje mediave dhe të gjithë personave që kanë publikuar apo shpërndarë pamjet, që t’i largojnë menjëherë ato, duke respektuar privatësinë, dinjitetin dhe mbrojtjen e të miturës, si dhe duke shmangur riviktimizimin dhe stigmatizimin e saj.

“Publikimi dhe shpërndarja e pamjeve të tilla janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe parimet etike dhe, mbi të gjitha, cenojnë interesin më të mirë të fëmijës.

KOMF ka theksuar në vazhdimësi se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ka mangësi të mëdha në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Përmasat që ka marrë kjo dukuri kërkojnë një fokus shumë më të madh në parandalim dhe edukim, përmes fuqizimit të prindërve për rritjen dhe disiplinimin e fëmijëve pa dhunë, edukimit në shkolla dhe ndërhyrjes së hershme ndaj sjelljeve të rrezikshme, me qëllim uljen e dhunës dhe uljen e ciklit të saj nga një gjeneratë në tjetrën”, thuhet në reagimin e Koalicionit të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve – KOMF.